Besëlidhja e bëri si duhet detyrën e saj këtë sezon. Ajo u ndërtua, punoi dhe në fund u kurorëzua si kampione e vendit në basketbollin e meshkujve, duke dëshmuar forcë, cilësi, emocion. Natyrisht, mundësitë në sportin shqiptar nuk janë dhe aq të mëdha, por një projekt i duhur mund të japë suksesin e duhur dhe Besëlidhja e personifikon këtë më së miri. Një organizator si Marvin Prodani, ka rrëfyer emocionet e suksesit duke u kurorëzuar kampionë, por edhe objektivat e tij individuale në vazhdim.

Prodani thotë se ky sezon për të ka qenë i veçantë, pasi mori besim nga stafi dhe ndjen se pati rritje cilësore në karrierën e tij. Ai vijon të mendojë për një aventurë jashtë vendit, por sidoqoftë, beson se kontrata afatgjatë me Besëlidhjen është gjithashtu një mundësi që duhet shijuar.

“Ishte një sezon mjaft i veçantë, për arsye se edhe djemtë vetë e bënë sezonin më të veçantë, po ashtu dhe stafi i trajnerëve, të gjithë dhanë maksimumin e tyre. Ishim një grup prej pesë lojtarësh që janë të ekipit kombëtar dhe jemi një grup që e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Padyshim që kjo ka rëndësinë e saj sepse lojtarët, që njihen e luajnë bashkë dhe në ekipin përfaqësues, dinë të bëjnë diferencën.

Besëlidhja është kombëtarja e sezonit në basketbollin shqiptar. Duke njohur njëri-tjetrin më mirë, mendoj se kjo na e ka bërë më të lehtë punën tonë dhe që të kemi këto rezultate. Gjithashtu ishin dhe lojtarët amerikanë, të cilët kanë qenë mjaft profesionistë dhe cilësorë në këtë rrugëtim. Ata i kanë dhënë një dimension të shtuar grupit, ndaj kemi pasur rezultate me diferencë të shprehur ndaj rivalëve.

Besëlidhja është investim serioz, projekt serioz dhe këtë e tregoi edhe gjatë këtij sezoni. Nëse do të ishte për jashtë vendit, kjo do të ishte dëshira ime, normalisht. E kush nuk do ta dëshironte të luante jashtë, në një ligë cilësore? Madje unë besoj se çdo klub do ta lejonte lojtarin e vet që të largohej kur është fjala për një aventurë të madhe jashtë vendit. Sigurisht që dëshira ime është të luaj jashtë, por brenda Shqipërisë jam shumë i kënaqur me Besëlidhjen, kjo dhe për mënyrën si më kanë trajtuar”- është shprehur Prodani.