Dje, Vllaznia luajti kundër Laçit, ndeshje që përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të shkodranëve.
Para ndeshjes, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu deklaroi për mediat online se sfida mes shkodranëve dhe kurbinasve do të përfundonte me rezultat 1-0.
E në fakt ashtu ndodhi. Shkodranët e drejtuar nga Ernest Gjoka fituan minimalisht kundër ekipit të Gentian Mezanit. Aludimet në media tashmë janë nga më të ndryshmet.
E vërtetë është se të gjesh në rezultatin në “kokë” një herë është fat, por dy herë është fakt. Të gjithë ata që e kanë parë takimin, kanë mundur të shohin rastet e shumta të shpërdoruara nga skuadra kuqeblu.
Madje në pjesën e parë, në minutën e 34-të, Xhevahir Sukaj godet shtyllën e majtë pingule të portierit Selmani.
Në atë moment rezultati ishte 1-0 në favor të Vllaznisë. Pas asistit të Çinarit, gjuajtja e Sukajt ishte për gol dhe askush nuk i besoi syve kur topi përfundoi në shtyllë.
Pas këtij rasti, natyrshëm lind pyetja: “Parashikimi i Xhelal Mziut e ndali sferën në shtyllë?”
Të gjithë ata që kanë provuar t’i gjuajnë topit qoftë edhe njëherë të vetme në jetë, janë koshientë që është mjaft e vështirë ta çosh atë në shtyllë.
Xhevahir Sukaj është profesionist dhe një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit tonë dhe kur e ka dëgjuar “profetësinë e Xhelal Mziut”, me siguri ka qeshur dhe ka thënë: “A s’kanë marre?”. Fundi i Superiores është i njëjtë në çdo sezon futbollistik.
Parashikime, “fiksime” të deklaruara dhe në fund keqardhje për ekipet që bien në një kategori më poshtë.
Do të ishte në të mirë të futbollit tonë që gara sportive të zhvillohej në fushë, ndërsa presidentët në zyrat e tyre të bënin punën ashtu si u ka hije.
Ndoshta edhe prokuroria nuk duhet të rrijë duarkryq në momentet kur një funksionar i lartë shteti lëshon deklarata të tilla, të cilat prishin imazhin e futbollit në vend. Dhe më e rëndësishmja? Largojnë tifozët nga stadiumi… /Newsport.al/