Futbolli i femrave përditë e më shumë po merr përmasa edhe më të mëdha, qoftë në Shkodër apo edhe në Shqipëri. Nëse ka diçka se me çfarë të krenohemi me të në Shkodër, padyshim janë disa rezultate që ka arritur Vllaznia në futbollin e femrave në nëntë vite rradhazi.

Megjithatë, përveç ekipit të vajzave shkodrane, në të ardhmen Shkodra mund të krenohet edhe me një futbolliste tepër të talentuar dhe premtuese të ekipit të Atletik Club, siç është pikërisht Aldisa Kronaj.

Ajo është një ndër futbollistet më të mira në kampionatin ku ajo luan, teksa Aldisa është e vetmja vajzë që luan futboll në një ekip djemsh, jo vetëm në Shkodër, por ndoshta edhe në të gjithë Shqipërinë.

Megjithatë në fakt deri më tani, nuk është dëgjuar të flitet shumë për të, por ajo thotë se synimet e saj janë që të bëhet një ndër futbollistet më të mira jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, Kronaj u shpreh se për të nuk është e vështirë të luajë në një ekip djemsh, ndërsa theksoi se ajo është familjarizuar me këtë gjë dhe të gjithë ndihen njësoj.

Ndërkohë nga ana tjetër, për Aldisën, nuk kanë munguar edhe vlerësimet nga ana e trajnerit të saj, Erion Mandi, teksa ky i fundit në një komunikim me “Shkodra Sport”, e ka cilësuar atë si një futbolliste të jashtëzakonshme, e cila në të ardhmen do të spikasë me talentin e saj.

“Vështirësia për të luajtur futboll me një ekip djemsh? Për mua nuk është e vështirë. Në fillim e mendoja të vështirë, por jemi familjarizuar dhe ndihem njësoj si të gjithë. Unë ndihem e barabartë. Për mua, kjo gjë nuk luan asnjë rol.

Talent i trashëguar apo është fituar me stërvitje, punë dhe pasion? Unë mendoj se qëndroj tek të dyja, pasi talenti pa stërvitjen e trajnerëve, nuk do kishte marrë këto përmasa.

Personi i parë që i dedikoj golat e shënuar? Personit të parë, që ia dedikoj golat, është babai im, të cilin e kam mbështetësin më të madh.

Tani për tani, mendoj se futbolli është më e mira, ku mund të shfaq veten. Megjithatë, më vonë nuk i dihet, pasi jam edhe nxënëse e shkëlqyer.

Sezoni më i suksesshëm? Për mua, është sezoni që mbaroi. Në Itali, u zhvillua një turne, me 25 ekipe nga Gjermania, Spanja, Italia, Anglia, Franca etj. Ne dolëm në vend të parë dhe fituam turneun. Poa shtu, fituam kampionatin, fituam Summer Cup Shkodra 2002 dhe u shpalla futbollistja më e mirë e turneut U-11.

Synimet në të ardhmen? Synimet e mia në të ardhmen janë që të bëhem një ndër futbollistet më të mira të Shqipërisë, pse jo edhe jashtë vendit”,-mbylli prononcimin e saj për “Shkodra Sport”, futbollistja e talentuar e Atletik Club, Aldisa Kronaj.
Maringlen ZHIVANI