Malvin Meçarovi është një nga trajnerët e suksesshëm të moshave që punojnë prej vitesh në Shkodër. Me fillimet e tij tek akademia Ajaks e tashmë tek Vllaznia, Meçarovi ka folur në një intervistë për “Shkodra Sport”. Nën rolin e zëvendës trajnerit të Vllaznisë u-19, ai u ndal edhe tek futbollistët që ka trajnuar ndër vite, si edhe talentet e reja të qytetit apo edhe objektivat e sezonit të ri për kuqeblutë e vegjël.


-Meçarovi, prej shumë vitesh pjesë e trainingut në mosha. Pavarërsisht se ende jeni në një moshë të re, keni një eksperiencë të konsiderueshme. Si ndiheni si pjesë e zhvillimit të futbollistëve të rinj ?

Për mua është një kënaqësi më vete dhe shumë e madhe të jem pjesë e formimit të brezit të ri. Por gjithashtu edhe një përgjegjësi shumë e madhe për atë çfarë duhet të transmetojmë sepse tek brezat e rinj hidhen themelet e së ardhmes.


-Keni qenë ndër ata “pionerë” të akademisë Ajaks. Ku sot po spikasin emra si: Haveri, Çoba apo Sala. Sa krenar jeni që keni stërvitur lojtarë të tillë?

Jam shumë krenar për Salen, Haverin e Çoben, për punën që ata kanë bërë në këto vite. Kam një lidhje të veçantë me ta sepse kanë kaluar thuajse 10 vite në duart e mia. Të ardhmen e kanë të sigurtë dhe kjo është arsyeja pse jam shumë krenar për ta.

-Sot pjesë e akademisë Vllaznia, prej dy sezonesh. Besoj se është një prestigj më vete apo jo? Tashmë do bashkëpunosh në sezonin e ri me Edmond Doçin, ndryshe nga ai paraardhës ku ishe në bashkëpunim me Vioresin Sinanin.

Të jesh pjesë e akademisë Vllaznia është privilegj dhe përgjegjësi. Normalisht bashkëpunimi me Doçin besoj se do jetë shumë i mirë, duke parë edhe natyrën shumë kërkuese që ka ai. Bashkëpunimi me Sinanin ishte i mrekullueshëm dhe besoj se mbyllëm një sezon të suksesshëm.


-Akademia Vllaznia ka dërguar disa lojtarë në sezonin e fundit në ekipin e parë. Futbollistë si: Pjeshka, Delaj apo edhe Alivoda për të cilët ka shumë pritshmëri. Do jenë një e ardhme e sigurtë për ekipin?

Unë mendoj se në akademinë Vllaznia bëhet një punë shumë e mirë dhe kjo shihet edhe nga numri i madh i lojtarëve të afruar në ekipin e parë. Mendoj që e ardhmja është e sigurtë duke shtuar kështu edhe Spahijen sepse janë një brez që premton shumë.


-Tashmë ju keni nisur procesin stërvitor me u-19 prej dy ditësh. Mbeten sërish objektivat për gjëra të mëdha tek akademia?

Po, ka dy ditë që kemi nisur punën për sezonin e ri. Stërvitja sapo ka filluar dhe na pret një punë e madhe edhe e gjatë përpara. Kjo në mënyrë që të jemi sa më gati për edicionin e ri dhe me objektivat e njëjtë. Që do jenë promovimi i sa më shumë futbollistëve që të jenë pjesë e ekipit të parë në të ardhmen.
Intervistoi: Endri ÇINARI