Silvan Çokaj është një prej atyre trajnerëve shkodran që ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë jashtë vendit. Në Shkodër ka trajnuar vetëm për pak kohë me skuadrën e Akademisë Shkodra, por edhe me disa ekipe të tjera private.

Megjithatë, Çokaj ka patur një synim tjetër dhe tashmë prej pak vitesh, i është drejtuar destinacionit të Islandës. Tashmë, atje pasi ka trajnuar skuadrën e Reykjavik U-16, është emëruar në krye të një tjetër skuadre, më konkretisht tek ekipi i Haukar.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Çokaj na tregon për emërimin tek ekipi i ri, por rrëfen edhe për mënyrën si perceptohet futbolli atje dhe se si është për një trajner shqiptar të punojë në një shtet të largët, siç është Islanda. Trajneri shkodran tha se atij iu bënë shumë rrethana negative shkaktare për të emigruar drejt Islandës dhe për të vazhduar punën atje si trajner për të realizuar synimet e tij.

Poashtu, Çokaj u shpreh se fillimisht në Islandë eksperienca nuk ka qenë e lehtë, pasi adaptimi ka qenë i vështirë, ndërsa theksoi se metodologjia e punës është shumë ndryshe nga ajo që punohet në Shqipëri. Më poshtë, lexoni intervistën e Silvan Çokajt për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.

“Kush është Silvan Çokaj? Të falënderoj për interesimin. Si fillim, po ju njoh me profilin tim. Jam një trajner i liçensuar me UEFA A që në vitin 2018, me eksperiencë mbi 10-vjeçare në trajning me të gjitha grupmoshat, por akoma jo me të rriturit. Në Shkodër kam punuar në klubet private Rozafa, Shqiponja dhe K.F Shkodra.

Periudha e Çokajt në Islandë? U bënë disa vite që jetoj dhe punoj në Islandë. Në vitin 2020, Federata e Islandës më ka aprovuar të drejtën të jem pjesë e trajningut këtu, por që karrierën time këtu e kam filluar në vitin 2019 me drejtimin e moshave të reja 12 dhe 16-vjeçare të ekipit IR këtu në Reykjavik dhe në 2020, më është aprovuar e drejta nga Federata e futbollit në Islandë.

Të them të drejtën, si eksperiencë e parë nuk ka qenë e lehtë, duke pasur parasysh që jemi dy kultura të ndryshme dhe adaptimi ka qenë goxha i vështirë. Një ndër shkaqet sigurisht ka qenë edhe gjuha. Metodologjia e punës është paksa ndryshe nga pjesa tjetër e Europës dhe shumë ndryshe nga ajo e Ballkanit. Megjithatë, bashkëpunimi me trajnerë të ndryshëm dhe me shumë eksperiencë në këtë ekip, më ka shërbyer që të përshtatem më së miri me mënyrën e punës këtu.

Ekipi i ri i Haukar? Po, sapo kam filluar punën me ekipin e ri të Haukar dhe sërish në të njëjtin pozicion, përgatitjen dhe zhvillimin e elementit të ri. Edhe pse akoma janë ditët e para të punës, realisht kam gjetur një ambient shumë miqësor, i cili më jep siguri dhe mbështetje për mbarëvajtjen e punës. Normalisht, ditët e para shërbejnë për të njohur klubin, kolegët dhe futbollistët. Më pas, do të planifikojmë së bashku programin për sezonin në vazhdim.

Si arrita të shkoj në Islandë për të trajnuar? E kam theksuar edhe në një intervistë të mëparshme, që u bënë shumë elementë dhe rrethana në vendin tonë shkaktar për të lëvizuar ose emigruar, për të realizuar synimet dhe ëndrrat tona në vende ku të jepet merita për atë që je dhe atë që di të bësh. E thashë edhe më lart, fillimet kanë qenë shumë të vështira, jo dokumentacioni, jo gjuha, jo kultura, pastaj në raste të caktuara shihemi me syrin e vendeve të treta. Pra, vështirësitë janë nga më të ndryshmet, por eksperienca ime e mëparshme në trajning dhe liçensimi, kanë qenë një plus i madh për mua.

Fryma sportive në Islandë? Të them të drejtën, këtu sportin e duan shumë. 90% e fëmijëve këtu janë të aktivizuar në disiplina të ndryshme të sportit, por sigurisht vendin e parë e ka futbolli. Kjo vjen edhe si rezultat që shteti po investon intensivisht në infrastrukturë. Masivizimi është prioritet kryesor i klubeve këtu, ku rezultati është totalisht në plan të dytë. Programet janë të shumëllojshme që ka hapësirë për argëtim, për trajnime individuale dhe shumë të tjera, pa presion dhe stres. Normalisht, dëshira e fëmijëve është e madhe që të ndjekin seancat stërvitore.


Çfarë do të thotë për një trajner shqiptar të punojë në Islandë?
Të punosh si trajner jashtë, është privilegj dhe përgjegjësi në të njëjtën kohë. Po them privilegj, sepse të është dhënë një mundësi për të ndërtuar karrierën dhe të ardhmen tënde profesionale, ndërsa përgjegjësi është sepse ke të bësh me edukimin e brezave të ndryshëm, rracave dhe gjinive të ndryshem, plus që ke mbi shpatulla edhe imazhin e klubit. Sa i përket njerëzve këtu, janë popull i qetë dhe i respektueshëm.

Synimet e Çokajt në të ardhmen, ndoshta një ditë do ketë rikthim në Shkodër? Synimet janë të mëdha, por mua më pëlqen të ec siç thotë anglezi step by step, por sigurisht që veten e shoh në një të ardhme të afërt mbase nën drejtimin e ndonjë ekipi të rriturish. Sa i përket rikthimit në Shqipëri, nuk e besoj, sepse jam totalisht i fokusuar dhe i angazhuar këtu për t’u rritur profesionalisht, por kjo nuk do të thotë që nuk jetoj me aktualitetin se çfarë ndodh me futbollin në vendin tim, që uroj me gjithë shpirt që një ditë të ndryshojnë shumë gjëra dhe t’i rikthehet profesionalizmit dhe ndershmërisë mbi të gjitha”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri shkodran që karrierën e tij e ka vazhduar në Islandë, Silvan Çokaj.
Maringlen ZHIVANI