Çdo njeri në jetë ka ëndrrat dhe pasionet e tij, për të cilat luftuan dhe sakrifikon fort. E tillë është edhe protagonistja e kësaj interviste. E kemi fjalën për Xhesika Kaçin, volejbollisten shkodrane e cila ashtu si sportin, dashuron shumë edhe marketingun dhe jo më kot po studion rreth tij.

Në të dyja fushat ka shumë për të dhënë. Po mundohet, e sforcuar ndoshta, t’i bëjë të dyja në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kuptohet që nuk mund të zgjasë vazhdimisht kështu. Por vetë ajo, ende nuk e ka të qartë se ku do ta ketë të ardhmen. E rritur si sportiste te Vllaznia, ajo për momentin është pjesë e Barleti Volej, ndërsa nesër nuk e di se ku do ta shohim.

Xhesika është ndër liberot më të mira të kampionatit shqiptar dhe si e tillë nuk i mungojnë ofertat. Por si person kreativ që është po punon fort edhe me marketingun, sepse siç thotë edhe vetë sporti është edhe marketing dhe po mundohet ta shfrytëzojë në mënyrën e duhur këtë gjë. Për më shumë lexoni këtë intervistë të saj dhënë për gazetën “Shkodra Sport” për të mësuar më shumë për këtë sportiste, studenten e marketingut dhe ëndrrat e saj.

– Përshëndetje Xhesika!

Përshëndetje juve!

– Për ata që nuk ju njohin, kush është Xhesika Kaçi?

Unë quhem Xhesika Kaçi, jam nga Shkodra dhe sapo kam mbushur 20 vjeç. Jam volejbolliste në rolin e liberos, gjithashtu studente për marketing PR në Universitetin “Barleti”. Hapat e parë të sportit i kam nisur tek Vllaznia në moshën 15 vjeçare. Ndonëse u zhvillova tek “Barleti Volley”, pasi u largova që në moshën 18 vjeçare. Grumbullimet në kombëtare nuk kanë mungur apo në organizimet e tjera që janë bërë. Megjithatë rrugëtimi im në këtë sport sapo ka nisur.

– Pse zgjodhe volejbollin?

Volejbolli më zgjodhi mua më saktë. Unë merrja pjesë në sporte të ndryshme, deri sa në 9-vjeçare u krijuam një grup për t’u futur në kampionatin e volejbollit. Aty ishin trajnerë nga Vllaznia, Ada e ekipe private, ku mora ftesë nga secila prej tyre dhe i falenderoj. Pas ftesës, gurët e shahut luajtën në mënyrë perfekte që familja ime të ishte dakort dhe unë të nisja sportin. Qëllimi im dhe i familjes ka qënë që të mbaja mesataren e shkollës gjithmonë lart. Dhe besoj se e kam arritur mjaft mirë. Jam një nga volejbollistet që e ka nisur karrierën me Alda Kaçorrin, një ikonë e volejbollit.


– Dhe fituat trofe duke luajtur me Vllazninë…?

Në vitin e fundit me profesoreshë Aldën kemi patur një ekip të shkëlqyer, por për fat të keq ajo u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe punën e nisur prej saj e vazhduam me trajnerët Dorian Tafa dhe Ferdinand Bardeli duke dalë kampione të Shqipërisë për të reja.

– 18 vjeçe më pas e latë Shkodrës për të vazhduar studimet në Tiranë. E vështirë të largoheshe nga Vllaznia?

Po, ishte pak e vështirë pasi Vllaznia ishte piknisja ime dhe një pjesë e imja mbetet aty, me vajzat, me pallatin, me tifozërinë. Mbetet sepse jemi rritur sëbashku, me një frymë siç është vetë fjala Vllazni.

– Barleti, “shtëpia” juaj e re më pas?

Shtëpia ku po kaloj të tretin vit. Sporti përveçse një emocion është dhe një merkato. Aty ku do të ndihesh i fituar, aty do qëndrosh dhe të peshosh fanellën. Momentalisht Barleti më ka ofruar atë ndjesi.

– Dhe je e kënaqur me atë çfarë ke përfituar nga Barleti?

Po, ato që unë kam kërkuar më janë ofruar, pasi mundësitë janë të shumta.


– Edhe në anën sportive je e kënaqur me atë që ke arritur deri tani?

Renditem në liberot më të mira të kampionatit shqiptar dhe jam me fat që jam stervitur nga liberoja më i mirë i Shqipërisë Altin Gorenxa. Gjithashtu dua të falenderoj dhe Artan Pogonin.

– Një Barlet me oshilacione këto vitet e fundit, njëherë pretendent dhe njëherë jo. Çfarë ndodh me të?

Ne si fillim pretendojmë të rritemi në nivel si lojtare, si ekip atëhere të synojmë. Fatkeqësisht vitin e kaluar kishim tre lojtare të rëndësishme të formacionit që u dëmtuan. Dhe për ne nuk ishte aspak e lehtë të rikuperonim largimet në mes të kampionatit. Jemi ekip pa asnjë blerje, me moshë mesatare 18.9 vjeç, të gjitha studente dhe drejt rikuperimit të lojtareve të dëmtuara dhe uroj të na bashkohen sa më shpejt. Sporti është i paparashikueshëm. Ne jemi një ekip plot supriza,besoj do suprizojmë ateherë ku askush nuk e pret nga ne.


– E mendon një rikthim te Vllaznia?

Momentalisht mendja është tek nisja e sezonit, ofertat vijnë në fund. Vllaznia si dhe çdo ekip tjetër brenda apo jashtë vendit janë opsione të mundshme për mua.

– Keni ende shumë vite karrierë përpara. Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

Shkolla dhe sporti mbeten dilemat e mia. Vitet që do vijnë kam vendosur t’i përkushtohem sportit, pasi e vështirë t’i mbaj ato në të njëjtin nivel. Megjithatë mund t’i ndërthur, pasi ia kam arritur gjithë këto vite dhe pse jo dhe vitet në vazhdim. Dhe pse janë dy rrugë të ndara, vështërsitë dhe sukseset e secilës më kanë sjellë këtu ku jam sot.


– Çfarë do të thotë për Xhesikën gërshetim i sportit me marketingun?

Sporti është vetë marketing. Një sportist i mirë nuk di vetëm të luaj por dhe të marketoj veten. Po ta marrim nga ana e biznesit, sportisti është një produkt. Ndryshe nga të tjerët ka fuqinë e vetmarketimit. Merkatot janë biznes, ku një sportist i mirë duhet t’i kontrollojë ato dhe jo ata atë. Prandaj është sportist.

– Në aspektin moral Xhesika ka përfituar më shumë nga sporti apo i ka dhënë më shumë atij?

Përfitimi është reciprok. Po i bane “hysmetin”, të tjerat vijnë vetë. Të jesh sportist është të jesh ndryshe, gjithmonë një hap më para të tjerëve. Sporti ti mëson gjërat në një kohë të shkurtër dhe po nuk e kape ritmin e tij, nuk do ja dalësh.

– E lumtur që cilësohesh si një nga liberot më të mira të kampionatit?

E lumtur? Duhet të punoj më shumë, është vetëm një shpërblim për kohën e përkushtimin e trajnerëve, gjithashtu dhe vetes. Për orët e tejzgjatura të stërvitjes, për oraret ekstra të palestres apo stervitjes individuale që më është dashur të bëj e shumë gjëra që qëndrojnë pas.


– Çfarë keni pasion tjetër përpos sportit?

Jam person kreativ, këtë dhunti kam nisur ta zhvillojë tek fusha e sipërmarrjes në konkurset që janë hapur. Gjithashtu të arrijë mirëaftësimin në botën digjitale
Intervistoi: Gjergj KOLA