Xhevahir Sukaj ka qenë një ndër sulmuesit më të mirë të Vllaznisë gjatë kohës që ai ka luajtur për kuqeblutë dhe një nga futbollistët më të mirë që Shkodra ka nxjerrë ndër vite. Kështu, përveç shkodranëve, ka luajtur edhe për Elbasanin në Shqipëri, Haçettepe dhe Orduspor në Turqi, Ismaily në Egjipt, NK Zagreb në Kroaci, por edhe me Sepahan në Iran.
Sukaj ka lindur më 5-tetor 1987 dhe që në moshë të vogël preferoi të merrej me futboll. Ai është produkt i Akademisë së Vllaznisë dhe në vitin 2004 u promovua në ekipin e parë në moshën 16-vjeçare.
Sezoni 2004-2005 ishte i pari i tij në futbollin profesionist dhe ai bëri 15-paraqitje në kampionat, duke shënuar një gol gjatë edicionit, duke ndihmuar Vllazninë ta përfundojë në vendin e katërt në tabelë. Në Kupën e Shqipërisë, Sukaj arriti të shënojë dy gola në fitoren e thellë 8-0 ndaj Tërbunit të Pukës, në raundin e dytë të Kupës. Vllaznia arriti në gjysmëfinale atë sezon, por përfundimisht u eliminua nga Tirana pas një humbjeje 3-2.
Më pas, ai u huazua te Elbasani për sezonin 2005-2006 për të fituar më shumë përvojë në ekipin e parë, por Sukaj e pati të vështirë të konkurronte me sulmuesit më me përvojë të klubit dhe arriti të luajë vetëm në katër ndeshje të kampionatit pa shënuar. Megjithatë, ai fitoi Superligën shqiptare atë sezon me Elbasanin. Ai arriti sërish në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, por nuk shënoi në asnjë ndeshje gjatë huazimit të tij.
Sukaj u rikthye te Vllaznia në vitin 2006 dhe u vendos menjëherë në ekipin e parë dhe luajti një rol të rëndësishëm në përfundimin e Vllaznisë në vendin e tretë në kampionat, me 8-gola në 31-ndeshje. Gjithashtu, ai shënoi 3-gola në Kupë, ku Vllaznia u eliminua ngushtë në çerekfinale përmes rregullit të golit si mysafir ndaj Partizanit.
Në total, ai shënoi 11-gola në sezonin 2006-2007. Gjatë sezonit 2007-2008, Vllaznia luajti në Kupën Intertoto, ku Sukaj bëri paraqitjen e tij të parë europiane në ndeshjen e kthimit të raundit të parë kundër NK Zagrebit, por pas humbjes së rasteve u zëvendësua nga trajneri aktual i Vllaznisë, Mirel Josa me Vioresin Sinanin, në minutën e 69-të. Vllaznia u barazua më pas kundër klubit turk Trabzonspor në raundin tjetër, ku Vllaznia u mund 10-0 në total, me Sukaj që luajti vetëm ndeshjen e parë, pasi ai u “gozhdua” në stol nga Josa për ndeshjen e kthimit.
Në kampionat, Vllaznia pati një sezon të vështirë, duke përfunduar vetëm në vendin e shtatë, pavarësisht se Sukaj shënoi 10-gola në 28-ndeshje. Megjithatë, skuadra e tij arriti të fitojë Kupën e Shqipërisë, me ndihmën e tre golave të Sukajt, duke përfshirë edhe golin e fitores në finale kundër Tiranës. Numri i golave të tij arriti në 13 për sezonin 2007-2008 dhe ai fitoi trofeun e tij të parë me Vllazninë.
Në kualifikueset e Kupës UEFA 2008-2009, Sukaj shënoi dy gola jashtë fushe kundër ekipit slloven, NK Koper, në pjesën e parë që u mbyll me fitore 2-1. Golat e tij e kaluan Vllazninë në raundin e dytë, pasi ndeshja e dytë mbaroi me një gol më pak dhe skuadra e tij u shortua kundër gjigantëve italianë, Napoli.
Dopieta e Sukajt në Slloveni i dha skuadrës së tij fitoren e parë në kompeticion në shtatë ndeshjet e luajtura dhe Sukaj fitoi rekordin si futbollisti i parë i Vllaznisë, që shënon më shumë se një gol në një ndeshje europiane. Ai luajti ndeshjen e tij të fundit për klubin përpara se të largohej jashtë vendit në ndeshjen e parë të raundit tjetër kundër Napolit, ku Vllaznia u eleminua dhe u mund 3-0 në shtëpi.
Largimi i tij nga Vllaznia u njoftua më 4-gusht 2008. Klubi që siguroi në fakt firmën e tij ishte Gençlerbirligi, i cili është klubi mëmë i Haçettepe. Ai ishte i huazuar te Haçettepe, deri në fund të sezonit. Kështu, pasi nuk mundi të hynte në ekipin e parë, ai u huazua në atdheun e tij, Shqipërinë dhe më konkretisht tek ekipi i qytetit të tij, Vllaznia. Ai filloi si titullar vetëm dy ndeshje, por bëri paraqitje të tjera duke u aktivizuar prej nga stoli.
Më pas, në ndeshjen e tij të parë, ai mundi të shënojë një hat-trick në ndeshjen kundër Besës së Kavajës, duke ndihmuar ekipin të fitonte ndeshjen 4-1. Në 14-ndeshjet e tjera të atij sezoni, ai shënoi 7-gola të tjerë.
Ndërkohë, pas një periudhe, Sukaj iu bashkua skuadrës turke, Orduspor, duke nënshkruar një kontratë dy-vjeçare. Ai bëri debutimin e tij në klub më 30-gusht, duke u aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë, në humbjen 2-0 në shtëpi ndaj Altay. Dy gola në nëntë paraqitje nuk mjaftuan për t’i bërë përshtypje drejtuesve të klubit, të cilët i ndërprenë kontratën në janar 2010.
Ndërkohë, në janar 2010, Sukaj nënshkroi një kontratë me Ismaily për pjesën e dytë të sezonit 2009-2010. Aty nuk shkoi çdo gjë mirë. Më pas, Sukaj nënshkroi një kontratë tre-vjeçare me skuadrën kroate, NK Zagreb më 15-korrik 2010, pasi në fakt u besua gjerësisht se ai do t’i bashkohej edhe një herë Vllaznisë, por realisht një gjë e tillë nuk ndodhi. Ai bëri vetëm pesë paraqitje në kampionat dhe shënoi një gol përpara se të përfundonte kontratën e tij në janar.
Sukaj u kthye edhe njëherë tjetër në klubin e tij të parë, pikërisht te Vllaznia, duke nënshkruar një kontratë dy-vjeçare deri në qershor 2013. Në ditën e hapjes së Superligës shqiptare në 2011-2012, ai shënoi një hat-trick kundër Laçit, për të siguruar një fitore për skuadrën e tij, pavarësisht se Vllaznia ishte në humbje në atë ndeshje. Golat e Sukajt u shënuan në minutën e 73-të, 80-të dhe 92-të të lojës.
Në janar 2012, Sukaj përfundoi transferimin e tij te skuadra iraniane, Sepahan, që merrte pjesë në Pro League, duke nënshkruar një marrëveshje 18-mujore. Gjatë pjesës së dytë të sezonit 2011-2012, ai arriti të shënojë vetëm dy gola në 10-paraqitje.
Sukaj fitoi trofeun e tij të tretë me Sepahan në maj 2015, pasi klubi i tij siguroi titullin e kampionatit në javën e funidt, pasi mundi 2-0 Saipa, ku Sukaj u shfaq në 14-minutat e fundit. Pas përfundimit të sezonit, drejtorët e klubit vendosën të mos rinovojnë kontratën e tij, duke e lënë atë si futbollist të lirë.
Ai u kthye në Shqipëri në verën e vitit 2015 dhe pasi zhvilloi bisedime me një mori skuadrash të Superligës shqiptare, përfshirë edhe ish-klubin e tij, Vllazninë, ai nënshkroi një kontratë një-vjeçare me Partizanin më 21-korrik. Në ndeshjen hapëse të Superligës shqiptare në 2015-2016 kundër Laçit në stadiumin “Qemal Stafa”, Sukaj shënoi një gol me goditje dënimi në minutën e 64-të për t’i siguruar skuadrës së tij një pikë.
Sukaj ishte një nga futbollistët më të mirë në kampionat, pasi shënoi një gol në secilën nga shtatë ndeshjet e tij të para për ekipin. Për paraqitjet e tij, ai u shpall futbollisti i muajit i Superligës shqiptare për tetorin e 2015.
Pas kësaj, ai pësoi një thatësirë goli, pasi shënoi vetëm një herë pas 17-tetorit 2015, që ishte kundër Tërbunit të Pukës, më 2-dhjetor 2015. Më 19-dhjetor 2015, ai u përjashtua menjëherë me karton të kuq kundër Skënderbeut për një sherr me Renato Arapin, vetëm pak sekonda pasi doli në fushë. Në karrierën e tij, ishte hera e parë që dilte me karton të kuq. Ai u dënua me 5-ndeshje nga Komisioni i Disiplinës i FSHF.
Ai luajti ndeshjen e tij të parë në vitin 2016, duke ardhur nga stoli për të shënuar në minutën e 89-të kundër Flamurtarit të Vlorës, më 6-shkurt 2016. Me 21-gola në kampionat, Sukaj ishte golashënuesi i dytë më i mirë në Superligën shqiptare për sezonin 2015-2016, vetëm gjashtë gola pas fituesit të Këpucës së Artë, Hamdi Salihi.
Më 21-qershor 2016, Sukaj nënshkroi një kontratë të re me Partizanin, duke e mbajtur atë në klub deri në vitin 2017. Megjithatë, ai njoftoi largimin e tij nga klubi tetë ditë më vonë, pasi iu tha se ai nuk ishte në planet e trajnerit të ri për sezonin e ri.
Më 28-qershor 2016, Sukaj iu bashkua klubit të Superligës së Malajzisë, Perak FA, me një kontratë 18-mujore, me vlerë 500 mijë dollarë në sezon. Ai bëri debutimin e tij me ekipin në ndeshjen e 14-të kundër Felda United më 16-korrik, duke luajtur 83-minuta në një barazim 1-1 jashtë fushe.
Tre ditë më vonë, Sukaj hapi llogarinë e tij të golave në një ndeshje të Grupit C të Kupës së Malajzisë kundër PDRM, e cila përfundoi me një humbje 2-1 në shtëpi. Kështu, pastaj ai shënoi golat e tij të parë në kampionat në paraqitjen e tij të tretë, duke shënuar një dygolësh në një fitore 2-1 në Pahang. Katër ditë më vonë, gjatë ndeshjes së rradhës të Kupës kundër Johor Darul Tazim, në të cilën Sukaj hapi rezultatin në minutën e 12-të, ai pësoi një dëmtim të rëndë, që e detyroi të largohej nga ndeshja.
Pas largimit të tij nga Peraku, Sukaj u rikthye te Partizani në janar 2017, për t’u stërvitur me skuadrën për të ruajtur formën e tij. Më 5-janar, drejtori sportiv Genc Tomorri deklaroi se, Sukaj do të jetë pjesë e ekipit.
Transferimi u zyrtarizua më 30-janar me futbollistin që nënshkroi deri në fund të sezonit. Për shkak të dëmtimit, Sukaj humbi shkurtin dhe gjysmën e marsit. Ai bëri debutimin e tij të rikthimit më vonë, më 18-mars, duke hyrë si zëvendësues në pjesën e dytë për Realdo Filin, në një fitore 2-0 ndaj Korabit të Peshkopisë.
Kontributet e tij të para të shënimeve të golave erdhën më 23-prill, në ndeshjen e javës së 30-të kundër Teutës së Durrësit, ku shënoi në momentet e fundit për të vulosur fitoren 5-1. Sukaj ishte sërish vendimtar për skuadrën pesë ditë më vonë, ku ai hyri si zëvendësues kundër rivalëve të qytetit, Tiranës, duke shënuar një gol me një goditje me kokë për t’i dhënë një fitore 2-1 ekipit të tij, që mbajti gjallë shpresat e Partizanit për titull. Ky ishte goli i tij i katërt në derbin e Tiranës.
Sukaj e përfundoi pjesën e dytë të sezonit 2016-2017 me 8-paraqitje, të gjitha si zëvendësues, duke grumbulluar 131-minuta, pasi Partizani nuk arriti të fitonte edhe një herë kampionatin, duke përfunduar nënkampion ndaj Kukësit. Më 17-qershor 2017, Sukaj nënshkroi një kontratë të re një-vjeçare me të kuqtë.
Sukaj vazhdoi bashkëpunimin e tij me Partizanin edhe për një sezon tjetër dhe pavarësisht se pësoi një dëmtim në qershor, ai ishte ende i përfshirë në ekip për raundin e parë kualifikues të UEFA Europa League 2017-2018 kundër Botev Plovdiv. Ai e filloi si titullar në ndeshjen e parë në stadiumin “Selman Stërmasi” më 29-qershor, duke shënuar brenda katër minutash me një gjuajtje jashtë zonës në një humbje të evitueshme, 1-3.
Më pas, ai luajti në 9-minutat e fundit në ndeshjen e dytë, pasi Partizani humbi 0-1 dhe u eliminua nga gara. Shanset e Sukajt për të luajtur, u zvogëluan nën drejtimin e trajnerit të ri, Mark Iuliano, pasi italiani preferoi formacionin 4-3-3 me një qendërsulmues, që do të thotë se Sukaj do t’i linte hapësirë Edgar Çanit të sapoblerë. Edhe me dëmtimin e Çanit, Sukaj u detyrua t’i linte hapësirë të riut Bardhi.
Ai shënoi golin e tij të parë në shtëpi për sezonin e ri, më 12-tetor ndaj Teutës së Durrësit, duke shënuar një penallti, për t’i dhënë skuadrës së tij fitoren e parë të kampionatit për sezonin 2017-2018. Sukaj e gjeti sërish rrjetën katër ditë më vonë, ku shënoi golin e parë në fitoren 2-0 në shtëpi kundër Luftëtarit të Gjirokastrës. Megjithatë, ai u zëvendësua në minutën e 60-të për shkak të një dëmtimi.
Pas ekzaminimeve, u konfirmua se Sukaj do të mungojë për një muaj. Ai u kthye në kampionat një muaj më vonë, si zëvendësues i minutave të fundit, në humbjen 0-1 ndaj Laçit në Laç. Sukaj u kthye në listën e golashënuesve pas më shumë se një muaji, më 30-nëntor, ku shënoi golin e vetëm në ndeshjen kundër Pogradecit, të vlefshme për ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë, 2017-2018. Sukaj u largua nga klubi i Partizanit në fund të dhjetorit për shkak të minutave të kufizuara të lojës.
Më 5-janar 2018, Vllaznia njoftoi se kishte marrë shërbimet e Sukajt me kontratë deri në maj 2018. Me nënshkrimin e kontratës, ai u nis për në Ulqin, për t’u bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës në kampin e tyre stërvitor dimëror.
Golat e tij të parë erdhën më 10-shkurt në formën e një dopietë në fitoren 0-2 në stadiumin “Roza Haxhiu” kundër kundërshtarëve të Lushnjës. Sukaj e mbylli pjesën e dytë të sezonit, duke shënuar 8-gola në 18-paraqitje. Një shumë golash e rrespektueshme, por e cila nuk i mjaftoi Vllaznisë që ra për herë të parë në Kategorinë e Parë pas 60-vitesh. Më 29-janar 2019, Sukaj iu bashkua Flamurtarit të Vlorës, aty ku luajti deri para dy sezonesh, por as aty nuk shkoi çdo gjë mirë, teksa rrugës u shfaqen probleme të ndryshme.
Ndërkohë, në karrierën me Kombëtaren, Sukaj ishte vendosur si titullar në ekipin e Shqipërisë U-21, gjatë fushatës kualifikuese të kampionatit europian U-21 2009 të UEFA. Më 17-nëntor 2007, ai shënoi një hat-trick në Shqipëri, në fitoren 5-0 ndaj Ishujve të Faroe, e cila shënoi fitoren më të madhe të Shqipërisë në një ndeshje kualifikuese të kampionatit europian të UEFA.
Përfundimisht, ai e përfundoi fushatën, duke shënuar 5-gola në 10-ndeshje, ndërsa Shqipëria në Grupin 1 përfundoi në vendin e katërt. Kështu, pasi pati një karrierë të suksesshme nën 21-vjeç me moshat, Sukaj u thirr nga trajneri i atëhershëm, Arie Haan, për miqësoren kundër Azerbajxhanit në Baku, më 19-nëntor 2008. Ai bëri debutimin e tij për Shqipërinë A në këtë ndeshje, duke u paraqitur si zëvendësues në minutat e fundit të ndeshjes, e cila përfundoi në barazim 1-1.
Kjo ishte karriera e Xhevahir Sukajt, një prej sulmuesve më të mirë shkodran, por jo vetëm edhe më gjërë. Pas lënies së futbollit, tashmë në moshën 34-vjeçare, ai nuk është se ka pasur detyra si trajner apo drejtor sportiv akoma, pavarësisht dëshirave dhe projekteve të ndryshme që mund të kenë mbetur në letër. Vetëm suksese në vazhdim në karrierën tënde Xhevo!
Maringlen ZHIVANI