Ndonëse duhet edhe një muaj e gjysëm që të mbyllet ky vit, që tani kanë filluar diskutimet për atë se çfarë do ndodhë me Vllazninë vitin e ardhshëm. Aludimet janë të shumta, madje kanë filluar edhe projektet se çfarë mund të bëhet. Por deri në janar duket se koha është e shkurtër por edhe e gjatë. Të paktën skuadra nuk duhet ta ketë shumë mendjen tek këto ndryshime të ardhshme por të shohë tek ndeshjet aktuale që kanë mbetur. Bordi i ri i sapokrijuar do të ketë ndikimin e vet tek kjo ecuri duke shpresuar për ndryshimin e situatës megjithatë mendja e të gjithëve është në dhënien e një zgjidhje përfundimtare për Vllazninë.
“Projekti” Radovani
Prefekti i Shkodrës, z. Paulin Radovani është përzier jo pak gjatë kësaj periudhe me çështjen e Vllaznisë. Ka folur fillimisht si një biznesmen që vite më parë ka kontribuar edhe financiarisht për të. Ka folur edhe si ish- këshilltar i Bashkisë kur herëpashere nuk ka qenë dakord me mënyrën si është vepruar në mënyrën e administrimit të gjërave tek ky klub. Tashmë flet edhe si Prefekt, ngaqë Vllaznia është një shqetësim i një numri të madh njerëzish në Shkodër. Por a ka një zgjidhje që i premton për t’i dhënë kësaj skuadre? Duket se një të tillë ai e ka. Burime pranë tij bëjnë të ditur se Radovani është i mendimit se Bashkia për vitin e ardhshëm nuk duhet të shpenzojë më shumë se 200 milionë lekë për klubin. Pjesën tjetër mund ta hedhin disa ish- donatorë që kanë sponsorizuar edhe më parë Vllazninë si për shembull Valter Fushaj, Xhevdet Amuli etj. Ajo që mbetet për t’u diskutuar është se paratë që këto të fundit do hedhin, a do u njihen si aksione për të ardhmen apo jo? Kjo sepse një gjë e tillë është diskutuar edhe në verë kur Fushaj ishte dakord ta merrte ekipin por mosnjohja e kontributeve të tij, bëri që ai të tërhiqej. Ndoshta Prefekti Radovani do bisedojë në ministritë përkatëse për këtë çështje për të gjetur një zgjidhje ligjore që do ta ndihmonte shumë Vllazninë.
Shitja e aksioneve
Në Bashkinë Shkodër janë të bindur se në janar do të dalë një ligj i ri për sportin. Të paktën kështu u është thënë nga Tirana. Një ligj që do të favorizonte edhe shitjen e aksioneve të klubeve të futbollit, çka në fakt për momentin është bllokuar si pasojë e mosfunksionimit ashtu siç duhet të ligjit aktual. Institucioni që ka në pronësi aktualisht klubin e futbollit Vllaznia me 100 për qind të aksioneve, pret që duke shitur një pjesë të aksioneve tek privati, të kthejë prapa një pjesë të konsiderueshme të investimit katërvjeçar që ka bërë tek ky klub me paratë e taksapaguesve shkodranë. Por sa e sigurtë është që ligji i ri do dalë dhe sa i përshtatshëm do jetë ai, këtë askush nuk mund ta thotë për momentin. Ka zëra se biznesmenë të ndryshëm edhe në kushtet aktuale kanë dëshirë të blejnë aksione tek Vllaznia por për momentin kjo gjë nuk është në plan nga Bashkia.
Rikthimi në shoqatë
Një tjetër zgjidhje që mendohet dhe ofrohet është rikthimi i klubit të futbollit Vllaznia sërish në shoqatë sportive siç ka qenë para 3 vitesh e gjysëm kur e mori Bashkia. Nëse do ndodhte kjo, burime të ndryshme bëjnë të ditur se ka firma shumë të fuqishme që janë të interesuara të investojnë tek ky klub dhe këtu nuk bëhet fjalë për firma shqiptare por të huaja. Ky opsion në fakt nuk pëlqehet nga Bashkia Shkodër sepse do të bënte që të mos përfitonte asgjë nga ato 1 miliardë e sa lekë që ka hedhur këto vite në arkën e këtij klubi. Megjithatë, për momentin asnjëri nga këto tre opsione nuk vlen. Të paktën deri në janar, kur të sqarohet përfundimisht nëse do ketë një ligj të ri për sportin që do favorizojë edhe shitjet e aksioneve tek klubet e futbollit apo jo.
© shkodrasport.com