Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për vdekjen e futbollistit të ekipit Egnatia, Raphael Dwamena, i cili humbi ndjenjat në fushën e gjelbër. Burime për media bëjnë me dije se janë marrë në pyetje mjekët e ekipit dhe personeli i ambulancës.

Sulmuesi i Egnatias, Raphael Dwamena ndërroi jetë dje, teksa në sfidën mes Egnatias dhe Partizanit ra pa ndjenja në fushën e lojës. Kapiteni i rrogozhinasve nuk ia doli dot të mbijetojë, duke ndërruar jetë rrugës për në spital. Trupi i pajetë i futbollistit ganez ndodhet në Tiranë dhe i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.

Përsa i përket historisë së sëmundjes së tij, Dwamena u diagnostikua me një sëmundje të zemrës në vitin 2017. Në janar 2020, ndërsa ishte në Levante UD, atij iu implantua një kardioverter-defibrillator i implantueshëm (ICD) përmes operacionit, i cili i detyroi klubin e tij të monitoronte zemrën e lojtarit gjatë ndeshjeve. Në tetor 2020, ICD tregoi vlera të cilat u konsideruan shumë të larta dhe klubi i tij në atë kohë, Vejle Boldklub, e tërhoqi atë nga aktivitetet e ekipit.

Kujtojmë se sulmuesi u bë pjesë e Egnatias në janar të këtij viti, pavarësisht se ekipet e tjera nuk e pranuan për shkak të problemeve që kishte me zemrën.