Prokuroria e Shkodrës do të merret edhe me një çështje që ka të bëjë me sportin dhe konkretisht me pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Parketi i këtij të fundit, i përfunduar vetëm dy javë më parë, ka filluar të çahet dhe vetëm brenda pak ditësh sipas punonjësve të pallatit, pritet të dalë krejtësisht jashtë përdorimit. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia kanë sinjalizuar Bashkinë Shkodër për këtë çështje dhe kjo ka njoftuar firmën ndërtuese që është marrë me shtrimin e tij.

Drejtuesit  e kësaj të fundit, pasi kanë parë dëmtimin e ndodhur, kanë ngritur pretendimin se parketi është dëmtuar me dashje nga punonjësit e pallatit ose të persona të tjerë. Një pretendim të tillë ata ia kanë bërë të ditur edhe policisë dhe në ambjentet e pallatit të sportit ka mbërritur ekspertiza e cila ka bërë verifikimet e duhura dhe tashmë do t’ia dërgojë Prokurorisë. Kjo e fundit do të ketë tashmë në dorë hetimin dhe do të dalë në konkluzionin përfundimtar. Në fakt, kjo duket qesharake megjithatë ky është pretendimi i firmës. Më shumë sesa rëndësia e vendimit që do të marrë Prokuroria, drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia por edhe ato të shoqatës së basketbollit, kanë gjendjen e parketit sepse të martën e ardhshme aty do të luhet ndeshja e Ligës Ballkanike me ekipin “Mornar” të Tivarit dhe nësë dëmtimi i parketit vazhdon, atëherë vihet seriozisht në dyshim zhvillimi i kësaj ndeshje aty.
© shkodrasport.com