Tërbuni i Pukës mori një fitore shumë të rëndësishme ditën e sotme në duelin kundër Tomorit. Pukajnët triumfuan me rezultatin 2-1, ku një ndër protagonistët ishte edhe Alsid Tafili. Ish-mesfushori i Vllaznisë, realizoi një super gol nga goditja e dënimit dhe për “Shkodra Sport”, ai prononcohet pikërisht për këtë fitore. Gjithashtu ai tregon edhe për skuadrën, që duket se ka pretendime edhe këtë edicion.

Tafili u shpreh: “Të them të drejtën e parandjeva golin që do shënoja. Sepse deri në ato momente po e mendoja golin dhe në rastin e goditjes së dënimit, mora direkt topin dhe iniciativën për të goditur në portë. Pavarësisht se në atë pozicion është shumë e vështirë të shënosh. Më bëri të ndihem shumë mirë nga ana personale sepse më jep motivim për të vijuar akoma më tepër. E po ashtu që kishte vlera për fitoren e ekipit.

Ndeshja kundër Tomorit ? Një fitore shumë e vështirë, ndikuar kjo edhe nga kushtet atmosferike. Ku siç dihet në Pukë kemi hasur vështirësi shumë, por me një sforco të ekipit dhe me dëshirë arritëm të fitonim. Dhe kjo na shërben të kemi besim tek cilësitë dhe aftësitë tona në të ardhmen.

Objektivat ? Besoj se kemi një grup dhe staf që ka treguar që edhe këtë sezon synon vendet e larta të renditjes. Pastaj patjetër që ka edhe faktorë të tjerë që ndihmojnë në realizimin e objektivave. Por ne duhet të marrim ndeshjet një e nga një e të luftojmë kudo për pikë”.
Endri ÇINARI