Nga Endri ÇINARI
Në janar iu bashkua ekipit të njohur të Panionios në Greqi. Ku me kuqeblutë para pak ditësh arriti të siguronte ngjitjen në Ligën e Dytë të futbolli grek. Fjala është për Arlind Kalajen, mesfushorin shkodran që pas eksperiencës në Suedi, në sezonin e fundit ka qenë pjesë e futbollit në vendin fqinj.
Për “Shkodra Sport” ai ka folur në një prononcim, duke treguar për eksperiencën në futbollin grek, suksesin me Panionios, por edhe të ardhmen dhe Vllazninë.
Kalaja tha: “Jam i lumtur sepse arritëm ta ngjisnim skuadrën në ligën e dytë. Ka qenë një gjysmë sezoni shumë pozitiv për mua, ku tek Panionios kam ndjerë përkrahjen e klubit, por edhe tifozëve. Ky ekip e meriton të jetë akoma më lartë sepse në të shkuarën ka pasur një histori në Superligën e Greqisë.
E ardhmja? Për momentin po e shijoj këtë sukses dhe nuk është se e kam mendjen tek merkato. Sezoni tek ne ka përfunduar dhe për të ardhmen do diskutoj me drejtuesit e klubit. Sepse siç e thashë është një skuadër ku u ktheva të luaj futbollin tim më të mirë.
Vllaznia? E kam ndjekur kampionatin shqiptar aq sa kam mundur. Vllaznia ka pasur rritje nga fillimi i sezonit. Uroj dhe kam besimin që do ia dalë me sukses në fund. Ashtu si çdo shkodran edhe unë dua që ekipi të jetë kampion i Shqipërisë”./www.shkodrasport.com/