Armenis Kukaj ishte një nga futbollistët shkodranë që kompletoi një lëvizje të re në karrierën e tij së fundmi. Mbrojtësi u largua nga ekipi i Besës së Kavajës duke kaluar kështu tek A&N në Kosovë.
Për shtatlartin kjo do jetë aventura e tij e parë jashtë Shqipërisë ku ka qenë më parë edhe pjesë e Vllaznisë dhe Luftëtarit. Për “Shkodra Sport” ai shprehet i emocionuar nga kjo eksperiencëe re.
Kukaj tha: “Jam me të vërtetë i lumtur dhe i emocionuar me këtë lëvizje timen së fundmi. Realisht kam pasur disa oferta në Superligë dhe në Kategorinë e Parë në Shqipëri. Por mendova ndoshta se duhej të provoja diçka të re në karrierën time.
Çfarë më bindi të transferohem në Kosovë tek A&N ? Mendoj se këmbëngulja e tyre për të më pasur në skuadër, që më bëri të ndihem i vlerësuar. Por edhe projekti ambicioz që ka skuadra që në edicionin e ri do hyjë me pretendime të mëdha në kampionat”.
Endri ÇINARI