Nga Endri ÇINARI
Tërbuni arriti një fitore plot vlera ditën e djeshme në kuadër të javës së 15-të të Kategorisë së Dytë. Pukjanët triumfuan në transfertë përballë Veleçikut në shifrat 0-1, kjo falë një goli të Uendi Vecajt. Pikërisht sulmuesi është prononcuar për “Shkodra Sport”, duke theksuar se e rëndësishme ishte fitorja. E ndërsa është i lumtur edhe për golin, ku kërkon të ripërsëritet edhe në ndeshjen e rradhës kundër Besëslidhjes.
Vecaj tha: “Jam i gëzuar sepse arritëm të merrnim 3 pikët e plota në një transfertë të vështirë kundër Veleçikut. Besoj se ndeshja ishte e luftuar nga të dy krahët dhe në fund ishim ne që merituam fitoren, ku besoj se kishim diçka më shumë se kundërshtari. Por ekipi vijon me dy rezultate pozitive rradhazi dhe të dyja në transfertë.
Goli? Ndihem mirë që shënova sepse u zhbllokova dhe dua që me golat e mi të ndihmoj ekipin në objektivat që ka. Ne duam të jemi sa më lart në renditje dhe të kërkojmë deri në fund mundësitë tona për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.
Besëlidhja? Një tjetër kundërshtar direkt dhe një ndeshje tjetër e fortë. Do i presim në Pukë dhe duhet të hymë me objektivin për fitore. Shpresoj që të shënoj sërish dhe të jem i rëndësishëm për ekipin”.(www.shkodrasport.com)