Edmond Doçi, ish-futbollisti kampion dhe fitues i Kupës së Shqipërisë me Vllazninë, e shikon me optimizëm skuadrën aktuale. Pavarësisht pozitave momentale, ai vlerëson atë që po paraqet ekipi.

Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport“, ish-mesfushori evidenton se mospërqëndrimi i duhur i skuadrës ka ndikuar edhe në rezultat. Sipas trajnerit të U17, Vllaznia mund të jetë favorite për ndeshjen e rradhës ndaj Skënderbeut, teksa Doçi mendon se shkodranët do të marrin maksimumin.

Ai veçoi në fjalët e tij edhe ndeshjen e fundit Partizani-Vllaznia, duke vënë theksin tek përformanca e kuqebluve.

“Vllaznia po bën ndeshje të mira, por nuk është duke pasur përqëndrimin e duhur për të marrë rezultatin që meriton.

Me këtë dua të them, se gjithë ekipi duhet të jetë i përqëndruar për 90-minuta pa humbur asnjëherë vëmendjen e fraksioneve të lojës që mund të na penalizojnë.

Në ndeshjen ndaj Partizanit m’u duk diçka e re prej ndeshjeve të tjera, sepse ndeshjen Vllaznia e filloi me një modul tjetër loje, prej atij moduli që ka luajtur pothuajse gjithë kampionatin. Unë mendoj që lojtarët nuk u shprehën krejt lirshëm në këtë ndeshje.

Normal që, duhet të jemi të kënaqur me barazimin ndaj Partizanit, sepse lamë poshtë vetes një kundërshtar që pretendon për zonën e Europës, por e theksoj që Vllaznia po të ketë përqëndrimin e duhur, mund të marrë pikët maksimale me çdo ekip të Superiores.

Normal që çalon loja e Vllaznisë, kur Da Silva dhe Latifi nuk janë në një formë të mire, sepse janë dy lojtarët më cilësorë që ka ekipi në pjesën e sulmit, por mund të them që Da Silva këto ndeshjet e fundit nuk ka qenë në nivelin e tij më të mirë.

Kampionati po tregon që nuk ka ndeshje të lehta, por mendoj që Vllaznia do marrë maksimumin ndaj Skënderbeut. Sa për mungesat, normal që janë të rëndësishme, por Vllaznia këtë vit ka luksin që mos t’i ndiejë fort ato, sepse ka lojtarë të tjerë cilësorë që mund t’i zëvëndësojnë dhe të japin maksimumin”,-mbylli prononcimin e tij, ish-mesfushori i Vllaznisë, aktualisht trajner i ekipit U17, Edmond Doçi.

Maringlen ZHIVANI