Një nga futbollistët që po spikat te Vllaznia U21 është padyshim Eraldo Deda. Edhe dje, mesfushori ka shënuar një gol në ndeshjen ndaj Apolonisë, gjë që padyshim kuptohet që e ka lënë të kënaqur edhe vetë lojtarin me këtë gol të shënuar.

Në një intervistë të dhënë enkas për “Shkodra Sport”, ai tha se është në pritje të mbylljes së marrëveshjes me një ekip tjetër, por pa përmendur emra. Fillimisht, Deda foli për ndeshjen e luajtur dje ndaj Apolonisë, teksa i pyetur edhe për mënyrën e ekzekutimit të 11-metërshit tha se së bashku me mesfushorin Uhejd Hoxha ishte një gjë e menduar.

“Ishte një fitore e thellë dhe një lojë e bukur nga i gjithë ekipi. Normal që, jam i lumtur sepse më pëlqen të shënoj gjithmonë gola që të ndihmoj ekipin por t’i shërbej edhe vetes.

Të them të drejtën, dëshira ime më e madhe është që të luaj tek Vllaznia por e shoh si një gjë shumë të vështirë për momentin dhe po mendoj për një lëvizje të mundshme pasi kam nevojë për minuta. Menaxheri im po merret me këtë pjesë por janë dy-tre oferta në drejtimin tim. Eshtë një ekip që jam shumë afër, por mbetet për t’u parë deri në fund, shumë shpejt do të zbulohet.

Te momenti i 11-metërshit, dua të ndalem pak më gjatë. Në rradhë të parë, Uhejdi është shoku im më i ngushtë jashtë fushës së futbollit. Ekzekutimi i 11-metërshit ishte një gjë e menduar shumë gjatë nga ana e jonë, por dje ishte momenti për t’u realizuar dhe besoj që ishte një gol i veçantë. U morëm vesh me Hoxhën me një shikim shumë të shkurtë, pasi kundërshtarët nuk duhej ta kuptonin”,-thekson mesfushori.

Deda flet edhe për ecurinë e tij personale, teksa shprehet se nuk është i kënaqur personalisht me atë që ka shfaqur deri më tani.

“Të jem realist nuk jam shumë i kënaqur me ecurinë time personale pasi mundësitë e mia janë shumë më tepër se kaq, por po punoj çdo ditë shumë fort në stërvitje që të kap maksimumin tim. Për momentin, objektivi im personal është të luaj sa më shumë dhe të shënoj sa më shumë”,-thotë ai.

Në fund, mesfushori ka edhe një dedikim special për golin që shënoi dje në goleadën ndaj Apolonisë.

“Po, dje goli ishte për profesor Ergi Borshi, pasi ai beson shumë tek unë dhe shpresoj të ia shpërblej”-mbylli mesfushori i Vllaznisë, Eraldo Deda.
Maringlen Zhivani