Nga Endri ÇINARI
Ditën e djeshme u zyrtarizua marrëveshja 3-vjeçare që Vllaznia nënshkroi me një nga talentet e akademisë. Fjala është për Ersi Zaganjorin, mesfushorin 19-vjeçar i cili nënshkruan kontratën e parë si profesionist. Për “Shkodra Sport” në një prononcim ai shprehet shumë i lumtur për këtë fakt. E po ashtu që pret që sa më shpejt të jetë protagonist për kuqeblutë.
Zaganjori tha: “Fillimisht dua të falenderoj klubin që më ofroi kontratën me ekipin tim të zemrës. Po ashtu shpresoj të kemi bërë krenarë edhe familjen time. Që tashmë do jem pjesë e Vllaznisë me një kontratë profesionisti.
Pavarësisht se firmosa vetëm dje, unë e ndjeja veten pjesë të skuadrës. Pasi ka 1 vit që unë jam stërvitur me ekipin e parë. Madje kam pasur kënaqësinë dhe realizimin e ëndrrës për debutimin me Vllazninë. Uroj që ky të jetë vetëm fillimi dhe në të ardhmen të ketë shumë më shumë gjëra pozitive.
Sezoni ardhshëm? Do stërvitem fort, të jem i përqendruar tek përmirësimi im. Po ashtu do kërkoj të jem protagonist dhe të kem minutat e mia tek Vllaznia. Minuta që duhet ti meritoj nga ajo çfarë do jap nga vetja ime”./www.shkodrasport.com/