Para pak ditësh u zyrtarizua kalimi i tij tek Rahoveci. Duke e vijuar kështu aventurën në futbollin kosovar pas eksperiencës së sezonit të kaluar me Rilindjen.

Fjala është për Elsaid Xhilajn, mesfushorin shkodran që tashmë në sezonin 2024-25 do jetë pjesë e Rahovecit. Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai shprehet optimisit për këtë zgjedhje dhe vijimin e karrierës në Kosovë.

Xhilaj tha: “Do jetë viti im i dytë në Kosovë dhe besoj se ishte një vendim i duhur për të vijuar karrierën këtu. Futbolli kosovar po rritet çdo herë dhe më tepër e besoj se kjo është shumë pozitive.

Rahoveci? Ka disa ditë që jam pjesë e skuadrës dhe besoj se po përshtatem mirë. Duhet të falenderoj edhe futbollistët që janë këtu dhe drejtuesit e klubit e po ashtu stafin që më kanë mikëpritur shumë ngrohtësisht. Kjo patjetër është një shtysë të japësh akoma më shumë.

Objektivi? Kjo është një skuadër që ka synim ngjitjen në Superligë. Prandaj ne duhet të jemi të gatshëm që nga ndeshja e parë deri tek e fundit e kampionatit.

Sfidë personale? Dua të bëj sa më mirë që ta ndihmoj klubi të realizojë objektivat. Besoj se kjo është skuadra e duhur për tu rritur dhe të jetë një shtysë për mua për të luajtur në liga më të forta në të ardhmen”.
Endri ÇINARI