Vllaznia U-18 ka arritur një fitore me shifrat e thella 7-0 ndaj Egnatias ditën e sotme. Kuqeblutë e drejtuar nga Malvin Meçarovi kanë dominuar ndaj rrogozhinasve, duke merituar në fund pikët e plota dhe duartrokitjet e të pranishëmve. Një prej protagonistëve të takimit ishte Seralb Hotaj. Autori i dy golave ka folur në një prononcim për “Shkodra Sport” rreth këtij suksesi. Shtatlarti shkodran thekson se si fillim janë të rëndësishme fitoret e ekipit e më pas golat. E ndërsa ka edhe një dedikim të veçantë për rrjetat e tij.
Hotaj tha: “Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe ishim dominues nga fillimi në fund. Nuk e nënvlerësuam aspak kundërshtarin dhe këtë e tregon rezultati. Besoj se ekipi ka mundësi për më shumë e së bashku të gjithë së bashku me trajnerët duhet të përpiqemi për më shumë.
Golat? Si fillim rëndësi kanë fitoret dhe pikët, e duam të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe suksese të tjera. Patjetër që dua edhe të shënoj sepse sulmuesit “maten” me gola. Me këto dy gola shkoj në 9 të tillë dhe uroj të shënoj sërish në vazhdimësi për të ndihmuar ekipin.
Dedikim? Po, kam një dedikim të veçantë sepse këto gola shkojnë për djalin e dajes timin, Ajden Djala. I cili u nda nga jeta para pak ditësh në moshën 4-vjeçare. Rrjetat e mia siç e kisha edhe në fanellën e dedikuar shkojnë për atë ëngjëll që sot më sheh nga lart”