Nga Endri ÇINARI

Vllaznia U-19 arriti një fitore të rëndësishme ditën e dielë përballë Elbasanit. Kuqeblutë e vegjël të drejtuar nga Elvis Plori në këtë mënyrë ngjiten në vendin e katërt të renditjes me 22 pikë. Një nga protagonistët e ndeshjes ishte edhe Klajti Halili.

Sulmuesi shënoi golin e parë të ndeshjes dhe në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet shumë i lumtur për fitoren dhe pastaj golin. Në fjalët e tij bomberi thekson se ekipi ka objektiva madhorë e ndërsa nuk “harron” as objektivin personal për të shënuar sa më shumë dhe tentuar aktivimin me ekipin e parë kuqeblu.

Halili tha: “Ishte një ndeshje që rezultoi shumë e vështirë ndaj Elbasanit. Pavarësisht se mund të dukej se në letër do ishte totalisht e kalueshme. Por pavarësisht se kundërshtari bëri rezistencë, ne ia dolëm dhe besoj me meritë që në fund të merrnim 3 pikët.

Golat? Kam shënuar 8 deri më tani dhe uroj e dua të shënoj sa më shumë. Kjo në rradhë të parë për të ndihmuar ekipin në realizimin e objektivave. E më pas vjen edhe kënaqësia personale.

Objektivi i skuadrës? Është që të fitojmë kampionatin sepse po punojmë çdo ditë në mënyrën e duhur me trajnerët. Frymq e grupit është ajo e duhura dhe ekipi ka cilësi. Besoj se në fund mund t’ia dalim.

Vllaznia? Patjetër do doja të kishq minuta në ekipin e parë. Por duhet punë nga ana ime dhe sakrificë që të arrij t’i meritoj ato minuta. Them se çdo gjë do vijë me kalimin e kohës”./www.shkodrasport.com/