Nga Endri ÇINARI

Një surprizë deri më tani këtë sezon në Kategorinë e Parë ka qenë skuadra e Burrelit. Matjanët pas 15 javësh ndodhen në vendin e 4-ët me 24 pikë të grumbulluara. Një prej protagonistëve të skuadrës që drejtohet nga Ditmar Bicaj është edhe Klejdi Paloka.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” mbrojtësi shkodran shprehet shumë i gëzuar për këtë ecuri të skuadrës, ku shprehet se kërkon t’i marrin ndeshjet një e nga një. Në aspektin personal ai thekson se ka gjetur ritmin dhe minutat e munguara, por kërkon të rritet ashtu si pjesa tjetër e skuadrës.

Paloka tha: “Dje morëm një fitore shumë të rëndësishme përballë një ekipi të fortë si Pogradeci. Besoj se merituam në fund të dilnim me pikët e plota pavarësisht se edhe kundërshtari kishte rastet e tij gjatë lojës. Ne duam të mbajmë këtë ritëm patjetër, pse jo edhe të përmirësohemi.

Objektivi i skuadrës? Askush nuk e priste që ky ekip të ecte kaq mirë këtë sezon dhe të gjithë ishin skeptikë. Objektivi është që minimalisht të ruajmë këtë pozicion ku jemi tani dhe të jemi pjesë e “play off” të Kategorisë së Parë në fundin e edicionit.

Burreli? Më kanë mirë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Kam gjetur ritmin dhe minutat që më mungonin më përpara. Përpiqem çdo ditë të përmirësohem e patjetër t’i shërbej skuadrës në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po ashtu dua të theksoj se atmosfera është shumë pozitive në ekip. Dhe po punohet me seriozitet maksimal për të arritur sa më lart të jetë e mundur

Trajneri Bicaj? Më ka dhënë besimin e duhur, ai vetë ka luajtur si mbrojtës dhe di mirë ku të këshillojë. Po ashtu ai na kupton shumë mirë dhe di si të punojë sepse s’ka shumë kohë që është larguar nga fusha e blertë si futbollist aktiv”.