Nga Endri ÇINARI
Basania arriti një fitore shumë të rëndësishme në javën e 15-të të Kategorisë së Dytë. Bushatasit triumfuan në transfertë në shifrat 2-3 ndaj Gramshit. Një 90 minutësh që dhuroi emocione deri në fund.
Protagonisti kryesor i duelit ishte Egzon Shimaj, me gol dhe asist. Kapiteni i Basanias për “Shkodra Sport” ka folur pas këtij suksesi. Ai thekson se ishte një triumf shumë i rëndësishëm dhe që skuadra e meritoi. E ndërsa ka edhe një dedikim të veçantë për këtë 3 pikësh.
Shimaj tha: “Ishte një ndeshje e fortë ndaj një rivali direkt, por që treguam edhe njëherë që ishim më lart. Sepse edhe në fazën e parë triumfuam me shifrat 3-0 ndaj Gramshit. Sot kishte më tepër rivalitet, por sërish ia dolëm. Pavarësisht se suksesi erdhi në fund, por krijuam shumë raste gjatë lojës dhe mund ta kishim mbyllur më përpara.
Moral? Ky 3 pikësh na qetëson dhe na largon disi atë “tersin” që kishte kapur ekipin. Them se skuadra ka më kualitet dhe mundësi nga ajo çfarë tregon tabela e klasifikimit. Uroj dhe kam besimin që të ecim në rrugën e fitoreve.
Dedikim? Këtë fitore ia dedikojmë Albert Miles. Sulmuesit të skuadrës sonë që së fundmi ka kryer një operacion. E presim të kthehet sa më shpejt pranë nesh dhe më i fortë.
Veleçiku kundërshtari i rradhës? E respektojmë si rival dhe çdo gjë do ia lëmë fushës të shtunën tjetër”.(www.shkodrasport.com)