Nga Endri ÇINARI
Burreli e mbylli sezonin e rregullt në Kategorinë e Parë me një fitore 1-2 kundër Kukësit ditën e djeshme. Në këtë mënyrë matjanët kurorëzuan një edicion historik, duke u renditur në vendin e katërt dhe gati për ndeshjet e “play off” që të ngjisin në Superiore. Një nga protagonistët e këtij sezoni, por edhe i ndeshjes ndaj Kukësit me një gol ishte edhe Klejdi Paloka. Mbrojtësi shkodran që ka qenë një ndër pikat e forta të ekipit të Bicajt.
Për “Shkodra Sport” ai ka folur së fundmi në një prononcim duke u shprehur i lumtur për fitoren, golin por edhe sezonin mbresëlënës. Në fjalët e tij shtatlarti po ashtu thekson se ekipi nuk ka frikë askënd dhe se do tentojë deri në fund ngjitjen në Superiore.
Paloka tha: “Jam shumë i lumtur që e mbyllëm më fitore sezonin e rregullt dhe jemi të renditur në vendin e katërt. Kjo është një arritje historike për një skuadër si Burreli, ku të gjithë me shumë sakrificë dhe punë ia kemi dalë. Duhet falenderuar çdo njeri tek ekipi, nga drejtuesit, trajnerët, futbollistët apo edhe punëtorët e skuadrës.
Goli? Më gëzon sepse kurorëzon një edicion të shkëlqyer. Jam i kënaqur me atë çfarë kam bërë këtë sezon me ekipin. Pavarësisht se gjithmonë ka vend për përmirësim dhe për të synuar më lart.
Superliga? Jemi në “play off” dhe kjo është një ëndërr për të gjithë në Burrel. E kemi treguar gjatë sezonit që nuk kemi frikë askënd. Prandaj ne do ta provojmë deri në fund ngjitjen në elitë dhe të mos “zgjohemi” nga kjo ëndërr”.(www.shkodrasport.com)