Nga Endri ÇINARI
Vllaznia U-19 mori një fitore shumë të rëndësishme në garën për titull kampion ditën e djeshme kundër Bylis. Shkodranët triumfuan në shifrat 3-0 ndaj ballshiotëve dhe protagonisti kryesor i takimit ishte Gerald Kubazi.
Sulmuesi arriti të shënonte një dopietë dhe në prononcim për “Shkodra Sport” ai shprehet i lumtur për golat, por më shumë suksesin e skuadrës. Po ashtu mëngjërashi thekson se ekipi do luftojë deri në fund për titullin.
Kubazi tha: “Morëm një fitore shumë të merituar ndaj Bylis me rezultatin 3-0. Ata janë një skuadër e fortë dhe që na kanë nxjerrë shumë punë më përpara, por kësaj rradhe ishim ne që dominuam dhe arritëm 3 pikët. Për këtë fitore kanë meritë gjithë trajnerët e skuadrës e po ashtu futbollistët e ekipit.
Golat? Unë gjithmonë dua të shënoj gola dhe ndihem mirë kur e bëj diçka të tillë. Por me rëndësi ka fitorja sepse na mban ende në garë për titullin kampion. Kemi ende disa ndeshje shumë të forta përpara për të treguar veten tonë.
Titulli larg? Besoj se jemi ende në garë dhe nuk i kemi humbur shpresat. Tani na vlejnë vetëm fitoret në çdo ndeshje dhe ne e tentojmë diçka të tillë deri në ndeshjen finale të sezonit”.