Belajdi Pusi ishte protagonisti kryesor i miqësores së djeshme mes Skënderbeut dhe Bylis. Sulmuesi shkodran realizoi një dopietë në fitoren 2-1 të korçarëve. Për “Shkodra Sport”, ai flet për golat e fundit, por edhe objektivat personal dhe të skuadrës korçare, që në sezonin e ri do jetë pjesë e Kategorisë së Parë.

Pusi tha: “Jam i gëzuar që shënova këto gola. Patjetër nuk është se kanë edhe aq shumë vlerë sepse gola në miqësore janë. Por për një sulmues janë shumë të rëndësishëm, në fund të fundit ne me golin “jetojmë”. Me skuadrën po zhvillojmë përgatitje intesive në këtë periudhë, që të jemi sa më në formë për fillimin e edicionit të ri.

Objektivi ? Patjetër që ta dërgojmë Skënderbeun ku e meriton. Ky do jetë një sezon shumë ndryshe, pasi do jemi në Kategorinë e Parë, por sërish i vështirë duke parë konkurrencën e madhe që do ketë kjo ligë. Megjithatë ne duam ngjitjen në Superligë sa më shpejt.

Pusi ? Dua të bëj një sezon sa më të mirë dhe të shënoj sa më shumë gola të mundem. Kjo për të ndihmuar skuadrën, por gjithashtu edhe për vete pasi çdo futbollist synon vetëm ngjitje në karrierën e tij”.
Endri ÇINARI