Nga Endri ÇINARI

Taulant Nikshiqi ishte vendimtar me një penallti të shënuar në minutën e 88-të për Basanian në fitoren e fundit kundër Gramshit me shifrat 2-3. Mbrojtësi pati qetësinë e duhur, ku falë eksperiencës së tij i dha 3 pikë shumë të rëndësishme skuadrës bushatase. Për “Shkodra Sport” ai ka folur mbi këtë sukses, ku thekson se ekipi tashmë duhet të ecë në rrugën e fitoreve. Po ashtu 30-vjeçari jep edhe një dedikim për fitoren e fundit.

Nikshiqi u shpreh duke thënë: “Ishte një ndeshje e fortë, por të cilin e kishim përgatitur me seriozitetin dhe moralin e duhur gjatë gjithë javës. Besoj se na u shpërblye mundi dhe sakrifica e gjithë këtyre javëve. Ku besoj se treguam se skuadra ka kualitet dhe di të luajë futboll. Mjafton të shikosh edhe golat që shënuam, që nuk ishin të rastësishëm. Por erdhën si rrjedhojë e logjikës dhe lojës sonë.

Goli? Jam i gëzuar për golin sepse ishte vendimtar për marrjen e 3 pikëve. Po ashtu në aspektin personal ishte i rëndësishëm sepse vij nga një periudhë dëmtimi dhe shpresoj ky gol të më japë moralin e duhur të vazhdoj përpara.

Ku së bashku me skuadrën duhet të ecim në rrugën e fitoreve. Sepse i kemi mundësitë për të bërë mirë e po ashtu të shpërblejmë besimin e presidencës dhe stafit teknik, me të dy trajnerët Mani dhe Kola.

Dedikoj? Të gjithëve që punojnë çdo ditë tek Basania dhe japin kontributin e tyre për tu përmirësuar. Por në veçanti Albert Miles sepse edhe ai po rikuperohet tashmë nga një operacion që ka kryer së fundmi. I uroj të kthehet sa më shpejt, por penalltitë gjithsesi do do i gjuaj unë edhe kur ai të kthehet në ekip (qesh).”(www.shkodrasport.com)