Nga Endri ÇINARI

Vllaznia U-21 arriti një fitore të thellë në ndeshjen e fundit kundër Erezenit në shifrat 5-1. Në këtë mënyrë skuadra e drejtuar nga Edmond Doçi mban vendin e dytë në renditje me 27 pikë, 1 më pak se kryesuesit e Vorës.

Protagonist absolut në ndeshjen kundër shijakasve ishte Antonio Delaj. Sulmuesi i skuadrës së parë shënoi 3 gola në këtë duel, duke treguar një formë të mirë. Për “Shkodra Sport” në një prononcim të shkurtë ai shprehet i lumtur për golat, ku thekson edhe se është gati për të dhënë kontributin edhe në ekipin A.

Delaj tha: “Më bëhet qejfi që e ndihmova skuadrën sepse në fund të gjithë luftojmë për emrin e Vllaznisë. Në çdo kategori apo grup moshë qoftë skuadra. Uroj që ekipi U-21 të kurorëzohet në fund pse jo edhe me titullin kampion sepse aty ka mjaft elementë cilësor.

Golat? Jam i lumtur për to edhe pse nuk ishin me ekipin e parë. Por këto ndeshje më shërbejnë përveç anës morale në lidhje me golat, por edhe anën e ritmit. Sepse në këtë mënyrë marr minutat e duhura për të qenë i gatshëm dhe në formë çdo herë.

Ekipi i parë? Ndihem i gatshëm të jap kontributin tim sa herë të më kërkohet. Po punoj çdo ditë me dedikim që të fitoj shansin tim edhe në skuadrën A”.(www.shkodrasport.com)