Nga Endri ÇINARI

Iliria ka marrë një fitore me shumë vlera ditën e djeshme në kuadër të javës së 16-të të Kategorisë së Dytë. Fushkrujasit mposhtën rivalin direkt për ngjitjen në Kategorinë e Parë, Sopotin. Me ekipin e drejtuar nga Dritan Smajli që triumfoi me shifrat 2-0 falë golave të Veriut dhe Kaçubelese. Pikërisht ky i fundit në një prononcim për “Shkodra Sport” shprehet shumë i lumtur për fitoren e golin. Ndërsa thekson se këtë javë ekipin e pret një “finale” tjetër në Luz përballë vendasve.

Kaçubela tha: “Jemi shumë të lumtur për këtë fitore sepse erdhi ndaj një kundërshtari të fortë dhe direkt si Sopoti. Treguam që Iliria ka ambicie dhe do të ngjitet lart, ku besoj se e merituam suksesin nga minuta e parë deri në të fundit.

Gjithashtu gjej rastin të falenderoj edhe tifozët që erdhën nga Fushë-Kruja në Koplik ku u zhvillua edhe ndeshja. Uroj t’i kemi në mbështetje edhe këtë javë, pse jo edhe më të shumtë në numër.

Goli? Uroj të shënoj sërish, kam “uri” për të shënuar sa më shumë dhe ndihmuar skuadrën për të arritur fitoret.

Luzi? Do jetë një tjetër finale për ne këtë javë përballë Luzit. E presim me entuziasmin e duhur sfidën, të cilën do e përgatisim me seriozitetin maksimal dhe përqendrimin e duhur. Shumë gjëra për ngjitjen më sipër mund të përcaktohen nga kjo ndeshje. Ne jemi gati për të luftuar fort dhe arritur suksesin”.(www.shkodrasport.com)