Erald Çinari ka shfrytëzuar pushimet dimërore për tu rikthyer në Shkodër dhe kaluar kohën pranë familjes së tij.

“Shkodra Sport” ka arritur të kontaktojë me ish-sulmuesin e Vllaznisë që tashmë aktivizohet në Turqi me Samsunspor. 25-vjeçari në prononcimin e tij flet për aventurën turke, si edhe “skanon” kampionatin shqiptar.

Çinari tha:” Këto ditë kam qëndruar në Shkodër me familjen time për festat e fundvitit. Mund të them se viti në Turqi u mbyll mirë pas një starti të vështirë që pata. Kjo edhe si pasojë e përshtatjes me një futboll dhe kampionat tjetër. Besoj se në këtë gjysmë të dytë të sezonit do kem akoma më shumë minuta.

Kampionati shqiptar ? Po shoh Tiranën që po ecën në një ritëm të mirë. Po gabojnë shumë pak dhe kjo i bën pretendentë për kampion. Vllaznia më ka pëlqyer në ndeshjet e fundit e ndoshta i ka munguar fati, por jam i sigurtë që do jenë deri në fund në garë pavarësisht se janë disi larg kreut.

Por besoj se do jetë një kampionat shumë i fortë në vazhdim sepse besoj se edhe Partizani do rikthehet më i fortë. Ndërsa edhe Laçi e Kukësi kanë ekipe shumë të mira”.