Sehar Bushaj ishte një nga futbollistët shkodranë që ndërroi skuadër këtë merkato verore. Mbrojtësi u largua nga Tërbuni për tu transferuar në Kosovë. Ku tashmë do jetë pjesë e ekipit të Rahovecit. Në një prononcim për “Shkodra Sport” ai shprehet se kjo ishte lëvizja e duhur për të. Një skuadër e cila do e ndihmojë të rritet e po ashtu që ka pretendime serioze në sezonin e ri.
Bushaj tha: “Jam i gëzuar që në sezonin e ri do jem pjesë e Rahovecit. Skuadra këtu ka pretendime për ngjitjen në Superiore dhe besoj se kjo ta shton akoma më shumë motivimin. Patjetër dua të falenderoj edhe ekipin e Tërbunit, ku unë isha pjesë deri para pak javësh. Iu uroj suksese në edicionin e ri.
Eksperiencë e re? Po është e vërtetë dhe siç e thashë edhe pak më parë jam shumë i motivuar. Dua të jap më të mirën dhe të shpërblej besimin e atyre që më afruan këtu. Besoj se liga ku do jem pjesë tashmë është më e fortë dhe konkurruese nga ato që isha më përpara.
Trampolinë? Besoj se futbolli kosovar është në rritje çdo ditë. Dhe këtë e shohim edhe në kupat e Europës ku ekipet kosovare kanë avancuar shumë. Po të paraqitem mirë besoj se do kem më shumë mundësi në të ardhmen”.
Endri ÇINARI