Nga Endri ÇINARI
Akademia Vllaznia ka ndërmarrë një nismë të veçantë këtë sezon. Ku çdo muaj vlerëson elementët e saj më të spikatur. Këtë muaj portieri më i mirë i shpallur në të gjitha grup moshat e kuqebluve është Endri Lujkaj. Gardiani i Vllaznisë U-19 madje është votuar edhe nga tifozët kuqeblu në rrjetet sociale.
Në një prononcim për “Shkodra Sport”, portieri i ditëlindjes 29.04.2005 shprehet i gëzuar. Ai thekson të gjithë në skuadër e ndërsa ndan me ne edhe një idhull të cilin e shikon si shembull. Ndër të tjera ai thekson se ëndrra më e madhe është që një ditë të përfaqësojë ekipin e parë të shkodranëve.
Lujkaj tha: “Jam shumë i gëzuar për këtë çmim dhe vlerësim që kam marrë së fundmi. Kjo është diçka që më motivion të përmirësohem akoma më shumë dhe të jap më të mirën në ndeshjet e ardhshme.
Falenderoj të gjithë tek skuadra, nga trajnerët dhe shokët e ekipit. Me të cilët jemi çdo ditë dhe punojmë së bashku për të arritur objektivat.
Dedikim? Familjes sime në veçanti, ata janë mbështetja më e madhe.
Idhull? Dua të ndjek hapat e Alen Sherrit. E shikoj si një shembull sepse edhe ai nga akademia Vllaznia nisi gjithçka e ndërsa sot luan në Serie A.
Ëndrra? Edhe unë dua si çdo djalë që një ditë të jem pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë”.