Nga Endri ÇINARI

Vllaznia e futsallës arriti një fitore të thellë në shifrat 2-9 në duelin ndaj Partizanit. Kuqeblutë reaguan pas humbjes së javës së shkuar me Flamurtarin, duke treguar cilësitë e tyre. Për këtë sukses, për “Shkodra Sport” ka folur në një prononcim të shkurtër edhe një prej lojtarëve të ekipit, Saimir Hyseni. Shkodrani thekson se ndaj kryeqytetasve ishte një sukses i merituar e ndërsa tregon edhe objektivat e kuqebluve që janë ambicioze këtë sezon.

Hyseni tha: “Ndaj Partizanit në ndeshjen e fundit merituam gjithçka sepse skuadra dominoi nga fillimi në fund të ndeshjes. E kishim përgatitur sfidën gjatë gjithë javës në stërvitje e arritëm të tregonim vlerat tona duke marrë një fitore të rëndësishme.

Humbja me Flamurtarin? Ishte një disfatë në Shkodër para tifozëve tanë dhe realisht nuk e mendonim se do shkonte në atë mënyrë. Por na duhej ky reagim kundër Partizanit për të hyrë dhe vijuar në rrugën e duhur.

Ndeshja e rradhës? Do jetë kundër ekipit të Forcave të Armatosura, një duel që e vlerësojmë, por që patjetër futemi në fushë për ta fituar.

Objektivat e sezonit? Për ekipin është investuar shumë dhe objektivat sezonalë janë shumë serioze. Skuadra synon si kampionatin dhe kupën. Edhe kundërshtarët i njohim pak a shumë nga kontigjentët që ata kanë prandaj besoj se do jetë një luftë sportive deri në fund të edicionit”.(www.shkodrasport.com)