Anglia është vendi që po gjen për momentin më pak dakordësi për kthimin në fushë të skuadrave të Premier Ligës. Nga një anë klubet nuk duan të humbasin milionat e të drejtës TV, por nga ana tjetër nuk gjejnë një akord për të rifilluar në kushte sigurie e sidomos barazie për të gjithë.
Shqetësimi kryesor vjen nga skuadrat në vendet e ulëta të tabelës, të cilat e dijnë se në rast infeksioni të lojtarëve apo stafit të tyre, do të kishin shumë pak shanse për të mbijetuar, aq më shumë në një periudhë ku ndeshjet do të jenë shumë të ngjeshura.
Kristian Përslou, shefi ekzekutiv i Aston Vilës, një prej skuadrave që rrezikon rënien, ka dalë me një propozim konkret e mjaft interesant, por që mund të komplikojë disi kalendarin.
“Ka skuadra që nuk mund të mbijetojnë nëse kanë 3 apo 4 lojtarë që u sëmuren. Nëse Aston Vila për shembull do të luante pa Grelish, Mings dhe MekGin, do të zvogëloheshin në mënyrë të jashtëzakonshme mundësitë për të fituar ndeshjet.
Do të dëshiroja që të kishte një rregull ku ne të mos luajmë nëse lojtarët tanë më të mirë të rezultonin pozitiv ndaj COVID-19”, tha ai. Një propozim i tillë mund të shqyrtohet në mbledhjen që do të zhvillojnë këtë javë për të diskutuar rifillimin e kampionatit. /vipsport/