Një nga problemet më shqetësuese në futbollin e moshave në Zonën e Shkodrës prej vitesh ka qenë ai i fallsifikimit të datëlindjeve për futbollistët e vegjëël apo dhe akivizimi i tyre jashtë rregullit.
Ky fenomen në fakt ka ardhur duke u reduktuar, por vazhdon të jetë prezent dhe për ta eliminuar njëherë e mirë, Kreshnik Krepi ka bërë një propozim shumë interesant: Heqjen e liçensës së trajnerit për këdo trajner që i bën gjëra të tilla.
Një propozim të tillë, trajneri aktual i kombëtares U19 të femrave e bën në një prononcim të dhënë për “Shkodra Sport”, nisur edhe nga përvojat aspak pozitive që ka kaluar ai vetë personalisht gjatë viteve që punon me futbollin e moshave.
“Ne i themi fëmijëve talenta dhe në fakt ka fëmijë të talentuar, por kjo është shumë e gabuar. Shumë prindër nuk i sjellin fëmijët për t’u bërë sportistë, por kur të mbushin moshën 14 vjeç, ata të nxjerrin sytë e ballit dhe për ta fëmija i tyre është më i miri në botë.
Ne trajnerët duhet t’i japim hakun gjithësecilit dhe të mos mendojmë për rezultat. Na ka ndodhur shpeshherë në Shkodër që trajnerët bëhen protagonistë për keq.
Na ka ndodhur që një fëmijë 15 vjeç të hyjë e të luajë me 13 vjeçarët, apo është 19 vjeç dhe hyn e luan me 16 vjeçarët. Dhe këtë e bëjmë ne trajnerët, për të marrë një rezultat. Nuk e bën as përgjegjësi i zonës, nuk e bën as Federata Shqiptare e Futbollit, por e bëjmë ne trajnerët, ne drejtuesit e këtyre Akademive.
Unë jam i mendimit dhe propozoj që në trajning të ketë masa ndëshkuese, pavarësisht se kush është ai. Edhe nëse ai trajner ka qenë futbollisti më i mirë në Shqipëri, t’i hiqet liçensa një vit sepse është kri.m me liçensë duke aktivizuar me dashje një fëmijë 17 vjeç që të luajë me kundërshtarë 14 vjeçarë. Nuk ke se çfarë bën tjetër më shumë për të dëmtuar futbollin e moshave”./SHKODRA-SPORT.COM/