Tifozët e Vllaznisë e gjejnë gjithmonë mundësinë, pavarësisht çdo peripecie për të përkrahur skuadrën e tyre.

Fituesit në fuqi të Kupës, do ta luajnë ndeshjen e parë të Conference League ndaj Universitatea Kraiova, me 21-korrik në stadiumin “Loro Boriçi”. Ndërkohë, ata do të jenë mysafirë pas një jave në Rumani, ku do të përballen me vendasit, në sfidën e kthimit të vlefshme për Conference League.

Pikërisht për ndeshjen e kthimit, tifozët kuqeblu, të cilët nuk do ta kenë mundësinë për të udhëtuar në këtë transfertë, kanë kërkuar nga Bashkia Shkodër dhe presidenca e Vllaznisë që të organizojnë së bashku, në stadiumin “Loro Boriçi” ndjekjen e ndeshjes nëpërmjet një monitori gjigant, duelin e skuadrës së tyre të zemrës.

Në kampin kuqeblu janë optimistë se, skuadra e Mirel Josës i ka shanset për të tentuar kualifikimin dhe do jepet maksimumi për t’u arritur një gjë e tillë. Megjithatë, duhet edhe ndihma e lojtarit të 12-të, pikërisht e tifozëve shkodranë. Ja kërkesa e tyre drejtuar Bashkisë së Shkodrës dhe presidencës së Vllaznisë.

“Bashkia Shkodër, z. Bardh Spahia dhe Alban Xhaferi, brenda mundësive, ju këshillojmë që për ndeshjen e kthimit Kraiova-Vllaznia, t’ia mundësoni tifozëve shkodranë një ekran të madh në stadium, ku mund të ndjekun ndeshjen, sepse jo shumëkush i ka mundësitë për të udhëtuar drejt Rumanisë.

Kështu të paktën të gjithë bashkë në stadium, i ndiejmë pak më shumë emocionet e ndeshjes”,-shkruhej nga një prej tifozëve në Facebook.

Maringlen ZHIVANI