Futbolli nuk është hera e parë që ndalet në Shqipëri. Ka pasur disa herë forca madhore që kanë detyruar qeverinë dhe FSHF-në të ndërpresë aktivitetin. Nëse këtë herë kemi të bëjmë me një pandemi globale (koronavirusi), duhet të kthehemi 23 vite pas për të gjetur një precedent që ka ndalur kampionatin shqiptar. Bëhet fjalë për vitin e tmerrshëm 1997, kur mes plumbave ishte e pamundur të luhej.
Sot, 23 vite më pas, kur nuk mund të flitet më për futboll, pasi Shqipëria është në një moment dramatik prej përhapjes së koronavirusit dhe njerëzit janë të ngujuar në shtëpi, “Bobi” kujton në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, atë që ndodhi në vitin e trazirave, si dhe bën një propozim për vazhdimësinë e kampionatit aktual.
“Besoj se UEFA do të shtyjë edhe Evropianin 2020. Edhe Shqipëria do të shkojë në varësi të asaj që vendosin edhe kampionatet e tjera. Nëse do të isha unë në FSHF, propozimi im do të ishte të luheshin deri në tri ndeshje në javë gjatë muajit qershor.
Duke luajtur të mërkurën, të dielën dhe sërish të mërkurën, nuk besoj ka ndonjë problem të madh, sepse në fund të fundit, vetëm 10 javë kampionat ka mbetur. Problem shoh vetëm Kupën e Shqipërisë, pasi nuk janë luajtur ende çerekfinalet.
Megjithatë, edhe në këtë kompeticion mund të bëhet diçka. Ky është një siklet që e kanë të gjithë tani dhe derisa nuk i jep dot zgjidhje Italia etj., edhe ne do të gjejmë një rrugë’.