Nga Endri ÇINARI
Vllaznia U-21 ka marrë dy fitore të rëndësishme në dy ndeshjet e fundit. Kuqeblutë mposhtën ditën e martë me rezultatin e thellë 4-0 ekipin e Elbasanit në Shkodër.
E ndërsa para këtij takimi, kishin triumfuar edhe në transfertë kundër Egnatias me rezultatin 0-1. Suksese që i kanë dhënë pikë të plota ekipit të drejtuar nga Edmond Doçi. Që tashmë është ngjitur në vendin e katërt me 18 pikë të grumbulluara.
Duke qenë vetëm 4 pikë larg kryesuesve të Apolonisë, me fierakët që kanë grumbulluar 22 pikë deri më tani. Protagonist kryesor për kuqeblutë në këto suksese të fundit ka qenë Ernest Hagrepi. Sulmuesi ka qenë vendimtar me golat, por edhe lojën e tij. Duke udhëhequr kështu drejt fitoreve Vllazninë U-21.
Në fitoren 4-0 ndaj Elbasanit, 19-vjeçari shënoi golin e tretë të takimit. Ku më parë edhe kishte asistuar për shokët e skuadrës. Dhe për performancën e tij, ai u konsiderua si një prej më të mirëve në duelin ndaj verdhebluve. Po ashtu në fitoren e Vllaznisë ndaj Egnatias, Hagrepi do ishte sërish vendimtar. Ku goli i vetëm i takimit dhe i sigurimit të 3 pikëve erdhi pikërisht nga këmbët e tij.
Ernest Hagrepi është një nga futbollistët e dalë rishtazi nga akademia Vllaznia. Ku kryesisht në rolin e një sulmuesi të krahut të djathtë, ai ka spikatur falë shpejtësisë dhe aftësive të tij teknike.
Edhe në sezonin e shkuar, ai ishte një ndër elementët më të spikatur në rradhët e Vllaznia U-19 e ndërsa këtë sezon po vijon me performancat pozitive edhe me U-21. Ku patjetër në të ardhmen sulmuesi kërkon shansin e tij edhe tek ekipi i parë kuqeblu./www.shkodrasport.com/