Numri i futbollistëve shqiptarë që luajnë në skuadra të ndryshme në Europë, është relativisht i lartë por njëkohësisht të shumtë janë edhe futbollistët që luajnë jashtë Europës, familjet e të cilëve kanë emigruar herët. Një prej tyre, është edhe mbrojtësi 20-vjeçar Klaidi Çela i cili aktivizohet në Kanada.
20-vjeçari është pjesë e skuadrës së Forges në kampionatin kanadez dhe vetëm dy ditë më parë, skuadra e tij arriti të fitonte titullin kampion. Forge arriti të mundte në finale skuadrën e Kavalarit, ku si në ndeshjen e parë finale, ashtu edhe në të dytën ka arritur të fitojë me rezultatin 1-0.
Sipas vipsport.al, Çela ka bërë disa paraqitje me skuadrën e Forges duke qenë edhe një nga më premtuesit në skuadër. Ai ka arritur të gjejë edhe rrugën e rrjetës këtë sezon, duke i dhuruar skuadrës 3 pikë në një transfertë ndaj Edmonton, aty ku Forge ka fituar 0-1 teksa numëron edhe një asist.
Çela ka lindur në Kanada dhe prindërit i ka nga Elbasani, teksa në kampionatin kanadez ai luan si qendërmbrojtës dhe mbrojtës i djathtë por shpesh herë është provuar edhe para mbrojtjes nga trajneri i tij.