U afrua tek Vllaznia në merkaton e kësaj vere pa ndonjë bujë të madhe, por duket se pak nga pak po fiton vendin e protagonistit. Fjala është për Melos Bajramin, mbrojtësin nga Kosova që iu bashkua kuqebluve. Pas një sezoni pozitiv në Superligën kosovare, 22-vjeçari u largua nga Gjilani. Dhe tani do e vijojë karrierën në vendin tonë.

Pavarësisht se dukej si një afrim për të kompletuar qendrën e mbrojtjes, Bajrami është prezantuar si titullar në ndeshjen e parë miqësore. Në fitoren 1-0 që Vllaznia arriti para pak ditësh ndaj Zrinjskit, falë një goli të Balajt, Bajrami ishte pjesë e 11-tshes titullare. Por jo në rolin e tij natyral, atij të qendër mbrojtësit.

Kjo pasi titullarë ishin lojtarët e sezonit të shkuar, Juric dhe Stojanovic. Megjithatë Bajrami luajti në krahun e majtë të mbrojtjes. Duke zhvilluar një lojë që është vlerësuar nga stafi teknik. Me largimin e Hakajt dhe me situatën jo aq të qartë edhe të Yagos, momentatlisht duket se linja e majtë do i besohet ish-futbollistit të Shkupit.

Pavarësisht se shkodranët janë ende në kërkim të një mbrojtësi tipik të majtë. Momentalisht duket se Bajrami jep sigurinë e duhur. E po ashtu me skemën 3-4-3 që aplikon shpesh Brdaric, mbrojtësi mund të shihet si ideal. Bajrami në karrierën e tij ka luajtur me Gjilanin, Shkupin e po ashtu Skënderbeun në Shqipëri. Eksperienca me Vllazninë do jetë e dyta për të në Superligën tonë.
Endri ÇINARI