Opinion nga ANTON ZALLI

Së pari kuqebluve nuk i mbetet asnjë rrugë tjetër përveç kampionatit për të arritur qëllimin minimal që i kanë vetes që janë Kupat e Europës. Ky objektiv jo vetem që përckaton fatin e sezonit të ardhshëm futbollistik por dhe fatin e stafit teknik e shumë e shumë lojtarëve të cilët duhan të jenë sërish pjesë e skuadrës shkodrane. Prandaj fitorja e sotme ndaj Tiranës do ta rendiste ekipin në vendet e para madje në të dytin shumë afër kreut të renditjes.
Së dyti, lojtarët janë mëse të vetëdijshëm që me një humbje situata do të jetë shumë kaotike dhe akush nuk e dëshiron një gjë të tillë. Duke njohur më nga afër bisedat e realizuara është arritur në një përfundim se me një mobilizim maksimal ashtu siç bënë në 10 minutat e fundit në ndeshjen ndaj Shkumbinit nuk do ta kenë të vështirë fitoren. Më pas duke shpresuar dhe tek një hap fals i Skëndërbeut në sfidën e neserme ndaj Flamutarit shkodranët do të kenë mundësinë më të mirë për t’u afruar sa më shumë me kreun.
Së treti dhe jo më pak e rëndësishme ka të bëjë me fatet e drejtpërdretja të ecurisë së skuadrës në ndeshjet e ardhshme. Një humbje e Vllaznisë sot mund të hapë rrugë për shumë ndryshime e reagime mëse të drejta nga drejtuesit ç’ka do të ishte diçka shumë negative për ndeshjet e ardhshme deri në fund të fazës së parë.
Vllaznia sot ka mbështetjen e të gjithëve dhe motivimin nga të gjithë për të fituar. Tifozët kanë premtuar se do të jenë sërish në stadium. Edhe sot në të gjitha mediat është shkruar për një fitore që duhet të arrijë Vllaznia. Drejtuesit e skuadrës këtë herë kanë preferuar të kalojnë pas shpine të gjitha masat e kritikat për skualifikimin e skuadrës nga Kupa e Shqipërisë vetëm e vetëm për të arritur një fitore sot ndaj bardhebluve të kryeqytetit. Ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ne gazetarët sportiv që merremi çdo ditë me Vllazninë kemi vendosur të mbështesim maksimalisht skuadrën duke i kushtuar vemendjen vetëm fitores dhe arritjes së një suksesi. Për ta mbyllur sot jam optimist se Vllaznia fiton. Urojmë që edhe kjo mbështetje të mos na interpertohet si diçka që i shërben negativisht ekipit!