Opinion nga Ymer STRINIQI
E kisha parashikuar në fakt vështirësinë e Vllaznisë për të marrë fitoren në ndeshjen e fundit në Berat. I gjithë opinioni tashmë e di se në nëntor të këtij viti, bëhen plot 50 vite që merrem me gazetarinë sportive dhe kam krijuar një përvojë të madhe në këtë drejtim, saqë jam në gjendje të gjykoj edhe ato çfarë mund të ndodhin me Vllazninë, skuadrën time të zemrës. Më i revoltuar se të shtunën që shkoi nuk kam qenë asnjëherë më parë. Do thoni ju pse? Unë çuditem sesi një ekip i formuar për të qenë pretendent, paçka se dikush thotë për titullin kampion dhe dikusht tjetër për të qenë mes ekipeve të vendeve të para, të gabojë në atë mënyrë siç gaboi Vllaznia në Berat. Unë habitem sesi guxojnë këto sportistë ta bëjnë një gjë të tillë. Edhe të rinjtë e Vllaznisë të kishin luajtur në këtë ndeshje, jam i bindur se nuk do ta kishin pësuar në këtë mënyrë. Skuadra shkodrane “ia fali” në këtë ndeshje barazimin Tomorit. Me këtë u vërtetua ajo që kam thënë vite më parë unë se futbollistët e Vllaznisë janë “tuca’, për ata që nuk e dinë këtë shprehje, do të thotë “frikacakë”. Ajo që më çudit edhe më tepër mua është se qysh në shkrimet para ndeshjes, në deklaratat e bëra nga përfaqësues të Vllaznisë në organe të ndryshme të masmedias, deklarohet se skuadra do ishte e kënaqur edhe me një barazim në Berat, me skuadrën e vendit të fundit të kampionatit. Kjo më revolton pa masë.Mua nuk më vjen dhe aq keq që skuadra la dy pikë edhe me Apoloninë pak javë më parë sepse fierakët bënë një lojë tepër të bukur. Përsëritja e këtij gabimi edhe në Berat, mund t’i kushtojë rëndë skuadrës në fund të kampionatit.Kështu nuk luhet futboll. Futboll luhet me nerv, me dëshirë, me pasion, me i ba hysmetin deri në fund ndeshjes dhe të kesh fitoren në dorë dhe ta lejosh kundërshtarin të të marrë barazimin siç ndodhi në Berat, është krejtësisht e pafalshme.E tillë është edhe mënyra si i pësojmë golat dhe kjo nuk ndodh vetëm sot por prej vitesh. Unë nuk po them ndonjë gjë të re, sa herë që kundërshtari ka patur nevojë për pikë, i ka marrë ato ndaj Vllaznisë, madje edhe pa shumë vështirësi.Goditemi sërish në qendër të mbrojtjes dhe kjo nuk është ndonjë gjë e veçantë. Vllaznia ka humbur edhe kampionatin pak vite më parë pikërisht prej gabimeve në qendër të mbrojtjes. Nga ana tjetër, mu bë qejfi që Hysa shënoi në këtë ndeshje dhe shpresoj që këto gola të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Për të gjitha këto probleme mendoj dhe Vllaznia ka nevojë imediate për një psikolog. Kundërshtarët, kushdo qoftë, skuadra e vendit të parë apo e fundit, vijnë në Shkodër dhe e deklarojnë hapur se duan fitoren ndërsa Vllaznia nuk e thotë këtë gjë dhe kjo mënyrë e të përgatiturit të ndeshjes, duhet të ndryshojë sa më parë.