Lëndimi i Paulo Dybala ishte një dush i ftohtë për Juventusin, i cili do të jetë pa sulmuesin argjentinas për 30-40 ditë. Diçka shumë e vështirë në këtë moment, teksa bardhezinjtë do të përballen me ndeshjen e parë të fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve, kundër Tottenhamit. Një fillim i vështirë sezoni për “Joya”, për të cilin nuk ndalen së qarkulluari thashethemet në lidhje me një shitje të mundshme në fund të sezonit, me PSG në radhën e parë, në sajë të raporteve të mira me agjentin Mariano.

Në një intervistë me “La Stampa”, Nasser Al-Khelaifi, megjithatë, përgënjeshtron një interes konkret për Dybala: “Eshtë e vërtetë se ka shumë lojtarë të mirë në ligë tuaj, jo vetëm Dybala. Nëse ne jemi të interesuar, kontaktojmë Juventusin. Agnelli është një mik i dashur, e kemi ndjerë këtë edhe më parë, por mund t’ju them se nuk është Dybala, çelësi për të ardhmen e PSG”. Presidenti i klubit, që është dominues i futbollit francez, foli edhe për mundësinë e një trajneri italian te skuadra e tij: “Conte dhe Ancelotti te PSG? Në Itali, ju keni lojtarë të mirë, klube të mira, trajnerë të mirë. Por tani për tani ne jemi të lumtur me trajnerin tonë, Emery”./telesport/