Dhjetë ditë për të rifituar ekipin dhe vendin e katërt që është jetik për të ardhmen e Juventusit dhe të tij.tiago

Mbyllja e mirë e sezonit dhe arritja në Ligën e Kampioneve, objektivi minimal i sezonit, mund të mos mjaftojnë për Tiago Motën që të qëndrojë trajner i Juventusit edhe për vitin e ardhshëm. Por, të përpiqesh të rregullosh një sezon që në disa momente ka qenë katastrofik, është detyrim.

Për këtë arsye, në periudhën e fundit të krizës, kontaktet ndërmjet Motës dhe Xhuntolit kanë qenë më të shpeshta se kurrë. Klubi po i tregon mbështetje trajnerit, duke u përpjekur gjithashtu ta ndihmojë atë të rivendosë marrëdhënien me disa nga liderët e dhomës së zhveshjes.

NDRYSHON GJITHÇKA

Megjithëse ka pasur konfirmim të besimit te Mota, klubi ka bërë disa kritika ndaj trajnerit të ri. Së pari, pasiviteti taktik dhe menaxhimi i grupit. Drejtuesit e Juventusit nuk e kanë pritur mirë që Vlahoviç dhe Jildiz, dy nga lojtarët më të talentuar të skuadrës, u lanë në pankinë për 90 minuta kundër Fiorentinës. Edhe revolucioni i mbrojtjes ka qenë një kritikë për Motën. Kambiazo dhe Gati janë dy shtylla të pazëvendësueshme për Juventusin. Duke filluar nga këto parime, Xhuntoli e ka vënë trajnerin përpara mundësisë për të ndryshuar sistemin dhe për të gjetur një pozicion që mund të nxjerrë më shumë në pah të gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Një kthesë drejt sistemit 3-5-2 ose 4-3-3 që mund të ndihmojë disa lojtarë. Përveç atyre të përmendur më parë, edhe Kolo Muani mund të përfitojë nga një ndryshim i sistemit. Francezi në ndeshjet e fundit është dukur i braktisur, një shënjestër e lehtë për mbrojtësit kundërshtarë. Shtimi i një tjetër sulmuesi si Vlahoviç pranë tij, mund ta ndihmojë të gjejë më shumë hapësirë dhe të bëhet më i rrezikshëm.

MOTA PSIKOLOG

Megjithatë, Tiago është i vetëdijshëm që ekipi duhet të rifitojë besimi psikologjik përpara atij fizik. Marrëdhënia me disa nga lojtarët më të rëndësishëm duket se ka arritur nivele minimale. Arsyeja pse trajneri, i shoqëruar edhe nga Xhuntoli, po përpiqet me biseda individuale të hyjë në empati me disa prej tyre. Dhe “seancat” e rikuperimit nuk mund të fillonin ndryshe, përveçse me lojtarët që Mota i ka identifikuar si më të besuarit e tij: Manuel Lokateli, Kefren Turam, Di Gregorio, Ueston Mekeni, Niko Gonzalez. Shumë prej tyre, aktualisht, janë nisur për angazhimet me Kombëtaret.

Jo kapiteni Lokateli, megjithatë, i cili ka qenë një nga ata që ka përfituar më shumë nga “kurat” e Motës dhe duket se ka fituar një vend si një nga liderët e kursit të ri të Juventusit. Rikthimi i besimit te Lokateli mund ta ndihmojë Motën të rimarrë kontrollin e skuadrës. Për këtë arsye, kur skuadra të jetë plotësisht e gatshme, është e mundur që Tiago t’i çojë të gjithë në një darkë, ashtu siç bëri para ndeshjes me Interin. Atëherë ka sjellë fat, tani shpresohet që të mund të rikthejë unitetin e grupit dhe të krijojë një lloj marrëveshjeje për kualifikimin në Ligën e Kampioneve. Prova përfundimtare do të jetë në fushë, pas pushimit, kundër Xhenoas në shtëpi.