PSV dhe komuna e Eindhovenit kanë paraqitur një kërkesë zyrtare në UEFA përpara shortit të sotëm (e premte) në Ligën e Kampionëve. Skuadra e Peter Bosz rezervoi vendin e tyre në fazën e 1/8-tës të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma me një fitore të paharrueshme 3-1 ndaj Juventusit në ndeshjen e dytë të fazës ‘play-off’.

Pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë, PSV arriti të barazojë lojën në total pas 90 minutash përpara se mbrojtësi Ryan Flamingo të shënonte golin e një fitore dramatike në minutën e 98-të për t’u avancuar tutje.

Skuadra holandeze do të përballet me Arsenalin ose Interin në fazën tjetër, ndërsa shorti do të hidhet nga ora 12:00 në Shtëpinë e Futbollit Evropian në Nyon të Zvicrës.

Përpara shortit, doli se PSV dhe komuna e Eindhoven kanë paraqitur një kërkesë të pazakonshme në UEFA për të luajtur ndeshjen e tyre të fundit në shtëpi të mërkurën më 5 mars dhe jo të martën më 4 mars.

Sipas mediumit holandez De Telegraaf, PSV e ka bërë kërkesën sepse e marta është dita e fundit e karnavalit. Për pesë ditë midis 28 shkurtit dhe 4 marsit, qendra e Eindhoven, e cila quhet Lampegat gjatë karnavaleve, shndërrohet në një vend gjigant festivali që kërkon prani të shtuar të policisë.

Në fakt, vendosja e policisë është arsyeja kryesore e kërkesës në UEFA, sipas raportit të mësipërm. Kjo nuk është hera e parë që PSV ka paraqitur një kërkesë shkaku i karnavalit në UEFA, por në vitin 2007, Federata Evropiane e Futbollit e refuzoi apelin dhe Eindhoven u detyrua të luante kundër Arsenalit të martën në mbrëmje. /Telegrafi/