Revolta kundër klubit pas ndeshjes së Ligës së Kampioneve disa javë më parë do të godasë rëndë xhepat e futbollistëve të Napolit, pasi klubi ka vendosur t’u mbajë përqindje nga rrogat mujore, ndërsa pret t’i dënojë edhe më ashpër pasi të fitojë gjyqin edhe në gjykatë administrative për prishje imazhi.

Gjobat fillojnë nga 7 mijë euro deri në 350 mijë euro, në varësi të shifrës që përfiton çdo futbollist i Napolit në kontratë. I vetmi që ka shpëtuar është Malkuit, pasi ka qenë i dëmtuar dhe ishte lënë pushim, ndaj presidenti De Laurentis nuk kishte arsye pse ta gjobiste.

Lojtari më i ndëshkuar ishte Lorenco Insinje, të cilit do t’i mbahen 350 mijë euro nga rroga e tij, i ndjekur nga Allan me 250 mijë dhe Kulibali me 230 mijë. Ai që do të paguajë më pak është i riu Gaetano, ndërsa sa i përket Elseid Hysajt, ai do të jetë te “mesatarët”.

Atij pritet t’i mbahen 60 mijë euro nga rroga e tij për këtë muaj, që nuk i është paguar ende nga Napoli që u ka bllokuar futbollistëve pagesat pikërisht për këtë arsye. /vipsport/