Në përfaqësuesen shqiptare ai ka përfunduar në stolin e rezervave, por Thomas Strakosha është një prej futbollistëve më të aktivizuar në Serinë A në këtë edicion. Kjo shihet qartësisht nga statistikat e fundit të publikuara nga “Panini Digital”, që ka mbledhur të dhënat e gjithë skuadrave të elitës së futbollit italian.
Sipas përllogaritjes së minutave të kohës së rregullt dhe shtesave që akordohen në fund të pjesëve, Strakosha ka luajtur 1835 minuta deri tani në këtë sezon, po aq sa shoku i tij i skuadrës, Açerbi dhe Donaruma i Milanit.
Rezulton se vetëm 3 lojtarë kanë luajtur më shumë minuta se ai si rrjedhojë e shtesave më të gjata që janë dhënë në ndeshjet e tyre. Lojtari me më shumë minuta në Serinë A deri tani është portieri Alesio Kranjo i Kaljarit, i cili ka qëndruar 1852 minuta në fushën e lojës.
Pas tij është mbrojtësi Nikolas N’Kulu i Torinos, me 2 minuta më pak dhe mbrojtësi i Xhenoas, Davide Biraski, me 1840 minuta. /vipsport/