Vllaznia do të luajë nesër pasdite në orën 17.00 në “Elbasan Arena” ndaj Kukësit ndeshjen e rradhës për kampionat. Kuqeblutë kanë mbyllur paradite përgatitjet për këtë ndeshje dhe më pas, kanë marrë rrugën drejt Elbasanit ku janë grumbulluar në këtë pragndeshje.
Ka patur dyshime për grumbullimin apo jo të disa lojtarëve të cilat kanë kaluar probleme shëndetësore dhe në fakt konfirmohet mungesa e dy prej tyre për këtë takim.
Nga lista e lojtarëve që ka publikuar vetë klubi Vllaznia si të gatshëm për sfidën ndaj Kukësit, konstaton që në të nuk janë të pranishëm mesfushori Ramadani dhe sulmuesi Hristov.
I pari u dëmtua gjatë ndeshjes me Skënderbeun ndërkohë që i dyti u pat dëmtuar në prag të kësaj ndeshje, pikërisht gjatë procesit stërvitor. Të dy ata kanë tërheqje muskulare dhe do t’u duhet edhe pak ditë në dispozicion për t’u rikuperuar, me shpresë që të jenë të gatshëm të paktën për sfidën tjetër, atë me Partizanin.
Pavarësisht këtyre dy mungesave, stafi teknik nuk duket i penalizuar për ndërtimin e formacionit sepse rikthehet nga skualifikimi Adili ndërsa është rikeperuar edhe Bardulla. Objektivi është padyshim për të marrë pikë, ndonëse kemi një përballje me njërin prej ekipeve që synon fitimin e titullit kampion.
© shkodrasport.com