Ada e Velipojës do të ketë neser transfertën e vështirë me Gramozin, takim që do të luhet në Ersekë. Velipojakët e cilësojnë këtë një ndeshje shumë të vështirë. Megjithatë në kampin e Adës besojnë se nëse skuadra përqendrohet maksimalisht dhe minimizon sa më shumë gabimet ka mundësi të marrë pikë në Ersekë. Me këtë mendim është edhe sulmuesi i Adës Edison Puka. “Kemi një duel shumë të vështirë me Gramozin. Janë një skuadër e mirë dhe që kanë pretendime këtë sezon për të dalë në Superligë. Kjo e bën një pengësë të fortë Gramozin për çdo skuadër. Megjithatë gjatë javës jemi përgatitur intensivisht për këtë sfidë. I kemi dhënë rëndësinë maksimale dhe seriozitetin më të madh. Është një takim i vështirë, por ne natyrisht që do të përpiqemi që të japim më të mirën e mundshme. Duhet që të gjithë të jemi të përqëndruar plotësisht tek kjo sfidë. Nëse gabojmë sa më pak gjatë lojës them se kemi shanse të marrim pikë në Ersekë. Skuadra duket në një formë të mirë dhe futbollistët nuk kanë probleme fizike. Kemi fituar dy ndeshjet e luajtura deri tani jashtë fushe por duhet pranuar se me Gramozin është edhe më e vështirë ndaj nuk do të jetë aspak e lehtë për të arritur fitoren. Shpresojmë që të bëhet një lojë e bukur dhe Ada të marrë një rezultat pozitiv sepse do të na ndihmonte shumë në të gjitha aspektet” – thotë sulmuesi Puka që u bashkua me Adën këtë merkato vere teksa erdhi nga radhët e Vllaznisë U-19.