Nga Endri ÇINARI
Kampionati shqiptar i futbollit do jetë pushim në këtë javë. Për tu rikthyer në datën 22 nëntor, që përkon me mesjavën e ardhshme. Kjo për shkak të impenjimit të kombëtares shqiptare, që do luajë sfidat vendimtare kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, që do vendosin kualifikimin e kuqezinjëve në europian.
Nga ekipet që do jenë pushim është edhe Vllaznia dhe ky mund të jetë një avantazh për kuqeblutë. Shkodranët kanë vuajtur shumë këtë sezon për shkak të dëmtimeve të shumta që ka pasur skuadra. Kështu 9 herë kampionët e vendit jo vetëm do kenë mundësi të rikuperohen psikologjikisht, por edhe fizikisht.
Kështu do ketë disa ditë më tepër që të kapin formën e duhur emra të rëndësishëm të formacionit. Një prej tyre është Esin Hakaj, i cili u kthye së fundmi, por ende nuk ka gjetur ritmin e duhur. Po ashtu edhe për Esat Malen mund të jetë një pushim pozitiv. Kjo pasi mesfushori vuajti një ndalesë së fundmi.
Dhe patjetër këto ditë pushimi do jenë të favorshme për të. Po ashtu edhe trajneri Osmani mund të ketë disa ditë kohë për të njohur sa më mirë edhe ekipin. Ku në dy ndeshjet e tij të para në stolin kuqeblu, ai ka arritur një barazim 1-1 kundër Erzenit dhe një humbje 4-1 kundër ekipit të Partizanit.