Opinion nga Redan Bushati
Isha dhe vazhdoj të jem në mëdyshje për të dhënë një mendim të thjeshtë, një koment të përgjithshëm a pse jo edhe një analizë të gjerë për intervistën që Rudi Vata, ish kapiteni i kombëtares shqiptare dhe së fundi ish trajner i Vllaznisë, ka dhënë për një të përditshme sportive në vend. Gjithsesi, ajo që më “prishi”, pak a shumë, idenë për të bërë një koment a një analizë të gjerë mbi intervistën e gjatë të Rudi Vatës ishte publikimi i një pjese të saj, në formë komenti, nga gazeta ShkodraSport. Kështu, që të përsërim të njëjtat gjëra nuk është as etike, as profesionale, por edhe as e dobishme.Një koment, gjithsesi, e meriton ish- trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata, një ndër ikonat e futbollit shqiptar dhe një ndër krenaritë sportive të qytetit të Shkodrës e më gjerë.
Si për koi 135idencë, nëse Vata do të hidhte sytë këto dy ditë nga facebook-u im, do të shikonte në murin e tij këtë shprehje të Volterit “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria e ka gabim”, e ndoshta do t’i bënte, kam përshtypjen që po, sadopak përshtypje, aq sa edhe mund t’ia prishte qejfin a dëshirën për të folur, në këtë intervistë, për problemet që ai kaloi në vendlindjen e tij, nën drejtimin e kuqebluve. Pse? Sepse e drejta është në krahun e të fortit. Të kujtoj, profesor, një pjesë nga Shekspiri, ku thotë «Mësues, doja të dija si jetojnë peshqit në det? Si njerëzit në tokë: të mëdhenjtë hanë të vegjlit». Kaq është më se e mjaftueshme për të kuptuar se «Ti, Rudi Vata, nuk ke dhe as do të kesh të drejtë ndonjëherë me pretendimet e tua në tokën shqiptare». Dikush edhe mund të ngrihet, ashtu siç rëndom jemi mësuar, me puthadorë e sejmenë të neveritshëm, rezíl e spordhjak , qenie të ndotura e të paskrupullta, të thotë që “Rudi, nëse kishte diçka duhej të drejtohej në prokurori. Është ajo që vendos se a ka të drejtë a jo ai”. Por ç’e do se njerëzit harrojnë se në Shqipëri edhe Prokuroria, Policia e çdo gjë është në dorën e më të fortit, atij që bën ligjin e nuk e zbaton për vete, ai që godet me kamxhik tjetrin dhe nuk quhet fajtor, madje na vishet edhe me petkun e mbrojtësit të të drejtave të njeriut e me të tjera broçkulla të këtij loji.
Gjithsesi, gjatë intervistës, Rudi Vata, mes rreshtave, tha dy të vërteta të mëdha. Njëra, se Vllaznia rrit lule të bollshme e plot me erë, por, o i vyshk me dashje ose i lëshon në kopshte të tjera. Për ato që s’kuptojnë metaforën e simbolikën e mësipërme, shpjegimi është ky: në Shkodër ka talente në futboll, që rriten këtu dhe kur vjen puna për të ngjitur shkallët deri tek ekipi i parë, ky i fundit me politikat e tij të mbrapshta, i largon nëpër skuadrat e tjera këto talente, ku secila prej këtyre skuadrave vrapon që t’i marrë, pasi janë të nevojshëm për organikën e tyre. A s’është e vërtetë një gjë e tillë? Nëse më thua jo, atëherë nxjerr gishtat e duarve, edhe ato të këmbëve, e nëse s’të mjaftojnë edhe ato, gjej edhe diku tjetër hua, e pastaj numëro një nga një se sa futbollistë shkodranë luajnë për ekipet e tjera, jo me Vllazninë, në Kategorinë Superiore dhe në të Parën, pasi nuk po shkoj më larg, në të Dytën, në të Tretën apo jashta vendit.
E vërteta e dytë e madhe, që Vata e tha, jo se ai di më shumë se ne të tjerët, porse ka karakter, guxim dhe ndershmëri më shumë se ato që flejnë në prehrin e më të “fortëve”, është se “Vllaznia nuk është për titull, sepse ka një skuadër tërësisht të formuar nga fillimi dhe duhet kohë, si dhe nuk ka kualitete më të mira se Skënderbeu, Tirana apo Flamurtari”.
Vata tha e tha, e çfarë nuk tha në këtë intervistë, por një gjë harroi të thoshte, ose gazetari nuk e ka pyetur, se «Sikur t’i jepej një mundësi e dytë, megjithëse e pamundur, për t’u rikthyer në drejtimin e Vllaznisë, a do të pranonte a jo”?